Serbia planifikon të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak nga marsi i vitit 2027

Serbia planifikon që nga marsi i vitit 2027 të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, i cili do të zgjasë 75 ditë, njoftoi presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

​Ai deklaroi se para fillimit të rekrutimit duhet të përfundojnë procedurat administrative, ligjore dhe logjistike. Sipas paralajmërimeve të deritanishme, shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të përfshijë burrat nën moshën 30 vjeç.

​”Në mars shkojmë në kryerjen e një shërbimi ushtarak shumë të shkurtër. Kjo do të forcojë më tej kapacitetet tona mbrojtëse”, deklaroi Vuçiq të dielën, gjatë vizitës në aeroportin ushtarak “Kolonel-pilot Milenko Pavlloviq” në Batajnicë.

​Propozimi parasheh 60 ditë stërvitje në kazermë dhe 15 ditë të tjera stërvitje në terren. Megjithatë, rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak duhet të formalizohet me ligj dhe të votohet në Kuvendin e Serbisë.

​Serbia e ndërpreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në fillim të vitit 2011, kur kaloi në përbërje të ushtrisë profesioniste. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë në janar të vitit 2024 nisi iniciativën për rikthimin e rekrutimit, ndërsa Vuçiq në shtator të po atij viti dha pëlqimin për rivendosjen e tij.

​Njoftimi u bë gjatë prezantimit të pajisjeve të reja dhe të modernizuara ushtarake në Batajnicë, ku u shfaqën avionë, helikopterë, sisteme raketore dhe armatime të tjera me të cilat disponon ushtria serbe.