Shtetet e Bashkuara mund të futen sërish në garë për organizimin e Kupës së Botës, këtë herë për edicionin e vitit 2038.
Sinjalin e dha drejtori ekzekutiv i grupit të punës të Shtëpisë së Bardhë për Botërorin 2026, Andrew Giuliani, i cili deklaroi se SHBA-të kanë kapacitetin për të mirëpritur edhe një turne edhe më të madh se ai aktual.
SHBA është bashkëorganizatore e Kupës së Botës 2026 së bashku me Kanadanë dhe Meksikën, ndërsa FIFA tashmë po shqyrton mundësinë që turneu të zgjerohet nga 48 në 64 skuadra duke nisur nga viti 2030.
“Kur mendon se Kupa e Botës mund të zgjerohet në 64 ekipe, besoj se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të afta ta përballojnë. Megjithatë, le ta përfundojmë fillimisht këtë Botëror më 19 korrik dhe më pas do të mendojmë për kandidaturën e vitit 2038 ose turne të tjerë”, u shpreh Giuliani.
Botërori i vitit 2038 është edicioni i ardhshëm për të cilin FIFA nuk ka hapur ende procesin e kandidimit. Ndërkohë, turneu i vitit 2030 do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, me tre ndeshjet e para që do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai për të shënuar 100-vjetorin e Kupës së Botës. Ndërsa Botërori i vitit 2034 do të mbahet në Arabinë Saudite.
Megjithatë, organizimi i Kupës së Botës 2026 në SHBA nuk ka kaluar pa polemika. Organizata të të drejtave të njeriut u kanë bërë thirrje tifozëve, gazetarëve dhe vizitorëve të tregojnë kujdes gjatë udhëtimit në SHBA, duke kritikuar politikat e ashpra të emigracionit të administratës së presidentit Donald Trump.
Gjithashtu, janë ngritur shqetësime për rritjen e kostove të udhëtimit gjatë turneut, ndërsa konflikti mes SHBA-ve dhe Iranit solli probleme edhe për përfaqësuesen iraniane.
Pavarësisht kritikave, Giuliani u shpreh optimist dhe tha se ka diskutuar me presidentin Donald Trump për mundësinë që SHBA të organizojë sërish Kupën e Botës.
“Nuk ka vend më të përgatitur për të organizuar një Kupë Bote se Shtetet e Bashkuara. Ne kemi stadiumet, infrastrukturën dhe mikpritjen e nevojshme. Ndryshe nga shumë vende të tjera që shpenzojnë dhjetëra miliarda dollarë për ndërtimin e impianteve, ne kishim tashmë shumicën e stadiumeve gati dhe kostoja ishte shumë më e ulët”, deklaroi ai.
Sipas Giuliani-t, përvoja e Botërorit 2026 po shërben si një reklamë e madhe për SHBA-të dhe mund të forcojë ndjeshëm shanset që vendi të rikthehet si organizator edhe në vitin 2038.



