Eurodeputetja e grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, Cristina Guarda, ka njoftuar se brenda pak ditësh do të vizitojë Shqipërinë së bashku me përfaqësues të tjerë të kësaj force politike evropiane, për të takuar qytetarë dhe për të mbështetur protestat kundër korrupsionit, dëmtimit të mjedisit dhe interesave private.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale në italisht dhe shqip, Guarda theksoi se vizita synon të kuptojë nga afër, pa ndërmjetësime institucionale, arsyet e protestave dhe shqetësimet e qytetarëve.
“Pas pak ditësh ne, të Gjelbrit evropianë, do të jemi në Shqipëri. Vijmë për t’ju mbështetur dhe për të kuptuar më thellë, pa ndërmjetësime institucionale, domethënien e këtyre protestave mjedisore, njerëzore, kundër korrupsionit dhe në mbrojtje të vetëvendosjes së një komuniteti që nuk është skllav i interesave private dhe spekulimeve”, shkroi ajo.
Sipas eurodeputetes, delegacioni do të përcjellë gjithashtu mesazhin e komisioneve dhe delegacioneve të Parlamentit Evropian që ndjekin zhvillimet në Shqipëri.
Ajo thekson se protesta e qytetarëve shqiptarë është një mobilizim i pa precedentë që po i mëson shumë edhe Evropës.
“Pas pak ditësh do të jem ne Shqipëri, në shesh me ju. Falë dhe amendamentit të propozuar nga ne ” Të Gjelbërit”, Evropa i thotë Edi Ramës që nuk mundet të autorizojë Rezort extra lluks pa vlerësime ambientale dhe ligje të cilat respektojnë standartet Evropiane. Me delegacionin e “Të gjelbërve” të parlamentit Evropian do të vijmë për të takuar Shoqërinë Civile, OJQ dhe Qytetarët tashmë ne ditën e 24 të protestës, jo të dhunshme, më te cilën po na mësoni shumë edhe neve. Është një mobilizim i pa precedentë i cili kërkon më shumë demokraci, transparencë dhe të drejta. Dua të jem aty me ju. Evropa duhet t’ju dëgjoje. SHIHEMI NË SHESH”, shkruan Cristina Guarda.
cristina guarda



