“Ne kemi dal për ta mbrojtur shkollën tonë! Me vet kontribut e kemi ndërtuar, nuk na ka ndihmuar as Ministria Arsimit e as Komuna, veç privat! Normale se prej klasës parë deri në të pestën nuk kemi dëshirë të largohen nxënësit nga fshati, përndryshe nga klasa 6 shkojnë në Shkollën Fillore ‘Bajram Shabani’ në Kumanovë. Sa larg prej këtu? I bie diku 8 kilometra larg”, tha Qahil Qaili, ish-kryetar i fshatit.
Sapo kuptuan se shkolla do të mbyllet, banorët e Kosturnikut të Kumanovës u mblodhën për të firmosur një peticion kundër këtij vendimi. Banorët shprehen të revoltuar për paralajmërimin e mbylljes së shkollës, me arsyetimin e numrit të ulët të nxënësve. Sipas tyre, me 10-20 nxënës me mësim të kombinuar ka pasur gjithnjë paralele.
“Vajza vogël në mot e fillon klasën e parë, vajza madhe e fillon klasën e katër dhe për mua si nënë është problem një vajzë 6 vjeçe si mund të shkoj në klasë të parë aq larg në Kumanovë. Ne si prind unë me bashkëshortin jemi kundër dhe komplet fshati është i të njëjtit mendim”, tha Linda Azemi, prind
Njeri nga banorët tha se nëse duhet të kursej shteti buxhet për gjoja paga të arsimtarëve, të fillojnë shkurtimet nga administrata publike dhe jo nga mësimdhënësit me kontrata në vepër. Ai tha se objekti mirëmbahet nga fshati dhe nëse është nevoja do ta vetëfinancojnë, por jo ta mbyllin.
“Në vitin 2027-28 i kemi edhe 4 nxënës që fillojnë klasën e parë. Siç e dinë gjithë se shkolla është bërë me vetëfiunancim dhe jemi fshati i vogël që asnjëherë nuk kemi pasur numër të madh të nxënësve, gjithnjë është sjell numri 20-23, nuk është shkollë që ka pasur rënie të madhe drastike të nxënësve dhe nuk është e arsyeshme të na mbyllin shkollë:, theksoi Hajdin Azemi, prind.
“Në periudhë afatgjate stimulohet eksodi lokal i banorëve të fshatit, meqenëse familjet e reja, të cilët i kanë fëmijët e vegjël do të jenë të detyruar të emigrojnë prej fshatit. Me këtë Ministria Arsimit dhe Ministria Bujqësisë bien në kundërshtim me njëra-tjetrën për faktin se nga pushteti qendror nga njëra anë proklamohet jeta në fshat me subvencione të ndryshme e tjera, ndërsa Ministria Arsimit bie ndesh me këtë se na detyrojnë ta lëshojmë fshatin”, u shpreh Valdrin Qerimi, banor.
Revoltën e tij e shprehu edhe njëri nga ish arsimtarët e shkollës.
“Do të vazhdojmë tutje, do të mundohemi me çdo kusht dhe çdo mënyrë që të ruajmë këtë pasuri të themi arsimore që kemi arritur me shumë mund ta ruajmë dhe besoj se do të bie në veshët e ministrisë dhe përgjegjësve që marrin këso vendimesh ta shqyrtojnë edhe një herë a është në rregull që të mbyllet një kopsht i lulëzuar i fshatit”, tha Femi Xhaferi, ish-arsimtar i shkollës
Nga Sektori për arsim në Komunën e Kumanovës thonë se janë kundër çdo vendimi për mbyllje të shkollave fillore që gravitojnë në këtë komunë, dhe se presin nga Ministria Arsimit që të miratojnë edhe për vitin e ri shkollorë paralelet e shkollave të qytetit por edhe të fshatrave. Sikurse shkolla e Kostërnikut në rrezik për mbyllje janë edhe disa shkolla të vendit./TV21



