Një polic nga Prilepi ka marrë kallëzim penal pasi ka transmetuar informacione zyrtare te avokati i personave të dyshuar në procedura penale, transmeton Portalb.mk.
Siç njofton Ministria e Brendshme, polici me inicialet B.T., i punësuar në Zyrën e Jashtme për Punë Kriminalistike në Prilep, dyshohet se në muajin maj të këtij viti, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare dhe ushtrimit të kompetencave policore lidhur me një vepër penale të raportuar, ka siguruar të dhëna që përbëjnë sekret zyrtar në procedurën paraprake hetimore.
Disa ditë më vonë, gjatë komunikimit privat përmes një aplikacioni në telefon celular, ai i ka ndarë këto të dhëna me mbrojtësin e një të dyshuari në procedurë.
Informacionet kishin të bënin me deklaratat e personave të privuar nga liria, ndaj të cilëve ishte caktuar masa e paraburgimit, si dhe me të dhëna lidhur me urdhrat e lëshuara për shoqërimin e një personi.
Për shkak të këtyre veprimeve, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për veprën penale zbulim i sekretit zyrtar.





