Tetovë, 21 Qershor 2026 – Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese lidhur me emrat e rrugëve në Tetovë ka nxitur reagimin e ashpër të autoriteteve komunale. Përmes një komunikate zyrtare, Komuna e Tetovës ka akuzuar drejtpërdrejt gjykatësit shqiptarë të këtij institucioni, të përzgjedhur nga ish-pushteti, se po shërbejnë për politikë ditore në vend që të mbrojnë interesat e qytetarëve.
Sipas Komunës, e vërteta juridike qëndron në faktin se vendimi për riemërtimin e rrugëve në Tetovë nuk mori kurrë formën e prerë, për shkak të dështimit të katër qeverive të kaluara të BDI-së pas vitit 2007 për ta kaluar atë në seancë qeveritare, gjë që la rrugët jashtë regjistrave të Kadastrës dhe Regjistrit Qendror.
Megjithatë, autoritetet lokale theksojnë se Gjykata Kushtetuese ka vepruar me tendencë politike duke hapur këtë procedurë pikërisht tani, kur Komuna është në fazën finale të zyrtarizimit të emrave të rinj. Sipas komunatës, pas këtij skenari që synon tensionimin ndëretnik qëndron subjekt politik që shpërndan hapur deklaratat e gjykatësve kushtetues.
Më poshtë vijon teksti i plotë i reagimit:
REAGIM ZYRTAR I KOMUNËS SË TETOVËS
Gjykatësit shqiptarë të Gjykatës Kushtetuese, të zgjedhur nga pushteti i kaluar, në vend se ta mbrojnë interesin shqiptar në atë institucion, po merren me politikë ditore.
E vërteta është se vendimi për riemërtimin e rrugëve në Tetovë asnjëherë nuk u bë i plotfuqishëm, për shkak se 4 qeveritë e BDI-së pas vitit 2007 nuk e kaluan si vendim në Qeveri. Prandaj ato nuk figuruan kurrë as në Kadastër e as në Regjistrin Qendror.
Pavarësisht kësaj, gjykatësit shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese nuk duhej të lejonin të hapet kjo procedurë në kohën kur Komuna e Tetovës është pranë finalizimit të riemërtimit zyrtar të rrugëve në Tetovë.
Tendenca është e qartë: të krijohen tensione ndëretnike. Ndërsa pas kësaj tendence qëndron partia e cila i shpërndanë zyrtarisht deklaratat e një gjykatësi kushtetues.



