Policia paralajmëron prezencë të shtuar, Kasami thirrje të përdoren autobusët

Kolona të gjata, rrugë të bllokuara dhe nervozizëm në timon. Kjo është pamja e paralajmëruar e Tetovës për muajt korrik dhe gusht, kur qyteti pritet të përballet me valën e parë të mërgimtarëve dhe nisjen e sezonit të dasmave.

Edhe pse ky skenar përsëritet çdo vit, infrastruktura rrugore mbetet e njëjtë, duke ngritur pikëpyetje për menaxhimin e fluksit. Sektori i Punëve të Brendshme sërish premton zgjidhje përmes prezencës së shtuar policore, duke u zotuar se këtë herë do të ketë uniforma pothuajse në çdo udhëkryq për të luftuar keqparkimet.

“Është paraparë që në çdo udhëkryq të ketë pjesëtarë të policisë dhe nëpër hapësirat e tjera, që të parandalohet parkimi i dyfishtë apo bllokimi i zonave të udhëkryqeve, me qëllim lirimin e komunikacionit. Po ashtu, do të jetë në shërbim edhe merimanga që do të ngrejë automjetet që do të pengojnë komunikacionin. Do të angazhohen shtesë edhe inspektorët e policisë me jelekë policie, që do të marrin masa. edhe për veprat e mundshme penale”, tha zëdhënësi i SPB-Tetovë.

Por, përderisa policia “kërcënon” me gjoba dhe karrotrecë, komuna zgjidhjen e kërkon te vetë qytetarët rezidentë. Kryetari i komunës, Bilall Kasami, u ka bërë apel banorëve lokalë që t’i lënë makinat e tyre dhe të shfrytëzojnë autobusët, ndonëse premtimet për rrugë të reja njëkahëshe kanë mbetur ende pa u votuar në këshill.

“Tetova tanimë ka transport publik falas, andaj do t’i kisha lutur të gjithë banorët rezidentë të komunës që gjatë kësaj periudhe të mos i shfrytëzojnë veturat për të dalë në qytet, por të shfrytëzojnë transportin publik. Po ashtu, në mbledhjen e radhës të këshillit, do të bëhet rregullimi i shumë rrugëve që do të bëhen njëkahëshe, me çka do të lehtësohet qarkullimin i veturave”, u shpreh Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.

Si një zgjidhje emergjente, Komuna ka vendosur që oborret e disa shkollave fillore të përdoren si parkingje pa pagesë. Megjithatë, shumë qytetarë këto i kosiderojnë vetëm arnime të përkohshme të një problemi të thellë, ku kultura e keqe e parkimit dhe mungesa e një plani afatgjatë strategjik do ta mbajnë Tetovën të stërngarkuar dhe në kaos të plotë edhe këtë verë.