Blerim Latifi: Sharlatanizëm në Emër të Filozofisë

Shkruan: Dr.Rexhail Ramadani

Ku fillon filozofia?

Ajo fillon në pragun e propedeutikës, aty ku mendja betohet mbi dy tehet më të ndritshme: mbi logjikën, për të na mbrojtur nga paragjykimet, dhe mbi etikën, për të na ruajtur njerëzorë. Pa këto dy armë, çdo përpjekje për të folur në emër të së vërtetës shembet në humnerën e egos. Rasti i Blerim Latifit është pikërisht ky — një histori e një profesori që ra që në provimin e parë të shkencës së tij, duke lënë pas vetëm një cinizëm elitist dhe një tradhti ndaj misionit filozofik.Defekti i tij i parë, ai logjik, është lokal dhe sipërfaqësor. Prej vitesh, i veshur me mantelin e një superioriteti kabineti, Latifi ndërton një përgjithësim të rremë dhe fyes për shqiptarët e Maqedonisë.

Ai zgjedh ta shpallë këtë popull si një qenie pa identitet të qartë kombëtar, duke zymtuar qëllimisht faktin se kjo popullatë krenare malësore ka mbijetuar med shekuj përmes një beteje të pastër institucionale për të drejtat e veta gjuhësore, arsimore e kushtetuese, dhe kurrë nën flamujt e axhendave fetare.Në verbërinë e tij akademike, Latifi harron se ishte pikërisht Medreseja e Shkupit ajo që shërbeu si një shtëpi e fshehtë e kulturës dhe gjuhës shqipe në kohët më të vështira të represionit; ishte ajo vatër që brandosi dhe edukoi “Betovenin shqiptar”, kolosin e muzikës simfonike, Rexho Mulliqin.

Ky popull, nën rrethimen e hekurt të censurës, arriti të kultivonte me aq pak mundësi një ishull të pastër të kulturës dhe letërsisë siç ishte revista “Jehona”. Beteja e shqiptarëve të Maqedonisë nuk ka qenë kurrë nën flamujt e axhendave fetare apo të Lindjes, por ka qenë një përpjekje titanike për një status juridik të barazisë së plotë kushtetuese, gjuhësore dhe institucionale brenda shtetit. Ky popull është një qenie krenare malësore me rrënjë të thella autoktone, e jo një popullsi pa identitet.Por, keqkuptimi më i madh i Blerim Latifit dhe analistëve të ngjashëm që gjykojnë nga distanca, qëndron në paaftësinë e tyre për të kuptuar kontekstin specifik politik dhe shoqëror të Maqedonisë së Veriut.

Si një shtet thellësisht multietnik, ky vend nuk mund të analizohet me dioptrinë e thjeshtëzuar të shteteve njënacionale. Beteja e shqiptarëve këtu nuk ka qenë kurrë një izolim identitar, por një përpjekje e vazhdueshme për të kultivuar një dialog më të gjerë shoqëror dhe për të ndërtuar ura të barazisë kushtetuese. Prandaj, në vend të etiketimeve kabinetike që prodhojnë ndarje, misioni i vërtetë i filozofisë në këtë mozaik kulturor duhet të jetë kultivimi i një vizioni demokratik, ku dialogu i ndërsjellë mbron lirinë e secilit dhe integrimin dinjitoz institucional.Ne nuk kemi probleme identitare; identiteti ynë është i lëruar me gjak, gjuhë dhe histori autoktone që nuk ka nevojë për vërtetime kabinetesh.

Problemi ynë i vërtetë dhe i vetëm është mungesa e perspektivës ekonomike, liria themelore e nëpërkëmbur dhe departizimi emergjent i një shoqërie të ngulfatur nga klientelizmi. Ndërsa ai filozofon nga fotelat e tij të komode në Prishtinë apo Tiranë, aleatët e tij ideologjikë në Reçicë e përdorin flamurin kombëtar dhe gjakun e dëshmorëve si një paravan të lirë. Në ato zyra të zymta partiake, larg syve të opinionit, ndahen pa mëshirë përqindjet, militohen tenderët dhe numërohen paratë e vjedhura publike. Është pikërisht kjo grabitje materiale e kastës politike, dhe jo mungesa e identitetit, ajo që po i zbraz qytetet dhe po e detyron rininë të niset me autobusët e natës drejt mjegullës së aeroporteve të huaja.

Latifi hesht për këtë, sepse është më e lehtë të fajësosh popullin sesa të godasësh xhelatët e tij të vërtetë. Beteja jonë e sotme nuk zhvillohet për të gjetur se kush jemi, por për të kultivuar një liri të vërtetë intelektuale, e kjo është e vetmja që mund të prodhojë një kulturë demokratike, dinjitet institucional dhe një vizion më të gjerë e më progresiv shoqëror.Defekti i tij i dytë, ai etik, është global dhe tragjik. Një filozof pushon së ekzistuari në momentin kur humb nervin e empatisë ndaj të pambrojturit. Sot, kur e gjithë bota përmes rrjeteve sociale dëshmon tmerrin e gjallë në Palestinë — ku mijëra fëmijë, pleq e të rinj po shndërrohen në hiri nën goditjet e një makinerie vrastare ushtarake — detyra e çdo qenieje humane është të rreshtohet në anën e viktimës.

Ndërsa njerëzit liridashës her aktorët e Hollivudit guxojnë të kritikojnë administratat e tyre të fuqishme duke treguar solidaritet universal med qenien njerëzore, Latifi zgjedh të dashurohet pas forcës së atyre që hedhin bomba. Magjepsja e tij pas “makinerive të vdekjes” dhe arsyetimi i dhunës përmes teorive abstrakte e kthejnë atë thjesht në një teknik të propagandës.Ne jemi qytetarë të botës dhe është detyrë supreme humane të solidarizohemi me çdo popull të dobët që i mohohet e drejta e ekzistencës, sepse Zoti – në të cilin ti nuk beson – i krijoi të gjithë njerëzit të lirë dhe të barabartë. Madje edhe në preambulën e Kushtetutës së SHBA-së, garantohen ato të drejta që Krijuesi ua fali njerëzimit: e drejta për jetë, liri dhe kërkim të lumturisë. Andaj, solidarizimi ynë me popullin palestinez është një thirrje e pastër humanitare, sepse edhe ata kanë të drejtën e shenjtë për jetë. Ai që vret një njeri, ka vrarë mbarë njerëzimin.

Pavarësisht gjuhës apo kulturës, Zoti në librat e shenjtë na urdhëron për dialog dhe njohje me njëri-tjetrin; sepse kur engjëjt e krijuan trupin e njeriut, frymën ia dha vetë Zoti. Prandaj edhe Profeti thotë: “Më i miri prej jush është ai që i shërben mbarë njerëzimit”. Ky është mesazhi ynë: thellësisht njerëzor, universal dhe i pathyeshëm para çdo cinizmi akademik.

Prandaj, titulli „Profesor i Filozofisë“ për të është bërë një barrë e rëndë. Ky titull nuk është thjesht një gradë administrative, por një mision i shenjtë për të qenë ndërgjegjja e një shoqërie. Duke e shpallë popullin e vet të humbur, dhe duke treguar një empati selektive para tmerreve të luftës në botë, Blerim Latifi dëshmoi se nuk e ka kaluar kurrë propedeutikën e mendjes. Ai pushoi së përfaqësuari filozofinë dhe u kthye në një apologjet të thjeshtë të status-quos, një bashkëpunëtor në heshtje para padrejtësisë.