A është koha që Maqedonia e Veriut të mendojë për një model të ri, si Belgjika dhe Zvicra?

Halil KRASNIQI

Kur dallimet nuk mund të zhduken, ato duhet të organizohen përmes institucioneve.
Maqedonia e Veriut është një shtet multietnik. Shqiptarët dhe maqedonasit përbëjnë dy komunitetet më të mëdha të vendit dhe kanë gjuhë, kulturë, tradita dhe identitete të ndryshme. Ky është një realitet shoqëror dhe historik që politika nuk duhet ta mohojë, por duhet ta njohë dhe ta organizojë përmes institucioneve.
Pyetja është tjetër: si duhet të organizohet shteti që këto dallime të mos prodhojnë vazhdimisht tensione dhe kriza politike?
Përgjigjen mund ta kërkojmë edhe te përvojat e dy shteteve evropiane: Belgjikës dhe Zvicrës.

BELGJIKA – NJË SHTET, TRI RAJONE DHE TRI KOMUNITETE GJUHËSORE

Belgjika është shtet federal dhe përbëhet nga tri rajone: Flandra, Valonia dhe Rajoni i Brukselit-Kryeqytet.
Në të njëjtën kohë, shteti njeh tri komunitete gjuhësore: komunitetin holandishtfolës, frëngjishtfolës dhe gjermanishtfolës. Rajonet dhe komunitetet kanë institucionet dhe kompetencat e tyre, ndërsa shteti federal ruan kompetenca të rëndësishme në nivel kombëtar.
Rajonet kanë kompetenca të rëndësishme territoriale, ekonomike dhe administrative, ndërsa komunitetet kanë kompetenca në fusha, si arsimi, kultura dhe gjuha.
Brukseli është një shembull i veçantë. Ai është rajon dygjuhësh, ku holandishtja dhe frëngjishtja kanë status zyrtar dhe institucionet janë ndërtuar duke marrë parasysh të dy komunitetet.
Belgjika nuk u përpoq t’i zhdukte dallimet. Ajo ndërtoi institucione që i njohin dhe i menaxhojnë ato.

ZVICRA – 26 KANTONE, 4 GJUHË DHE AUTONOMI E GJERË
Zvicra ka një model tjetër, por me të njëjtin parim themelor: pushteti nuk përqendrohet vetëm në qendrën e shtetit.
Zvicra përbëhet nga 26 kantone, të cilat kanë kushtetutat, parlamentet dhe qeveritë e tyre dhe gëzojnë kompetenca të gjera. Pushteti ndahet ndërmjet federatës, kantoneve dhe komunave.
Zvicra ka katër gjuhë kombëtare: gjermanishten, frëngjishten, italishten dhe retoromanishten, e cila flitet nga komunitetet retoromanishtfolëse, kryesisht në kantonin Graubünden. Disa kantone janë dygjuhëshe, ndërsa Graubündeni ka tri gjuhë zyrtare.
Ky sistem ka krijuar një shtet ku qytetari mund të ketë identitet të fortë gjuhësor dhe kantonal dhe, njëkohësisht, të jetë pjesë e një shteti të përbashkët zviceran.
Pra, autonomia nuk e ka dobësuar Zvicrën; ajo është bërë një nga mekanizmat që e mban atë të bashkuar.

PO MAQEDONIA E VERIUT?

Këtu duhet të fillojë debati ynë.
Maqedonia e Veriut e ka kaluar konfliktin e vitit 2001 dhe ka Marrëveshjen e Ohrit, por shumë çështje që lidhen me marrëdhëniet ndëretnike, vazhdojnë të rikthehen: gjuha, përdorimi i simboleve, përfaqësimi, arsimi, kompetencat lokale, ndarja e buxhetit dhe mënyra e ndarjes së pushtetit.
Kur të njëjtat çështje rikthehen vazhdimisht pas çdo ndryshimi politik, kjo tregon se problemi nuk është vetëm te qeveria e radhës.
Problemi mund të jetë edhe te mënyra se si është ndërtuar sistemi.
Në një shtet multietnik, të drejtat themelore nuk duhet të varen nga vullneti i një partie, një qeverie apo një koalicioni. Gjuha, kultura, arsimi, simbolet dhe përfaqësimi duhet të kenë garanci të qarta institucionale.
Nëse shqiptarët janë pjesë e barabartë e këtij shteti, atëherë barazia duhet të jetë e ndërtuar në sistem, jo të varet nga rrethanat politike.

A ËSHTË KOHA PËR NJË MODEL TË RI?

Ndoshta duhet ta kemi guximin ta hapim këtë debat.
Jo për ta ndarë shtetin. Jo për të krijuar kufij të rinj. Por për të gjetur një mënyrë më të qëndrueshme të bashkëjetesës.
Maqedonia e Veriut nuk ka pse ta kopjojë Belgjikën apo Zvicrën. Por mund të marrë prej tyre parime që funksionojnë: decentralizimin, autonominë lokale e rajonale, garantimin institucional të gjuhës dhe kulturës, ndarjen e qartë të kompetencave dhe bashkëqeverisjen.
Mund të diskutohet federalizimi, një decentralizim shumë më i thellë ose një model tjetër i përshtatur me realitetin e vendit.
Ajo që nuk mund të vazhdojë është një sistem ku çdo gjeneratë politike rihap të njëjtat çështje dhe komunitetet vazhdimisht kërkojnë garanci për të drejtat e tyre.
Nëse Belgjika mund të bashkojë tri rajone dhe tri komunitete gjuhësore në një shtet, ndërsa Zvicra mund të bashkojë 26 kantone dhe katër gjuhë kombëtare, atëherë edhe Maqedonia e Veriut duhet të ketë guximin të mendojë për një arkitekturë shtetërore që i përgjigjet realitetit të saj.
Nuk është dobësi të kërkosh një sistem më të drejtë. Dobësi është të vazhdosh me një sistem që prodhon të njëjtat probleme.
Maqedonia e Veriut ka nevojë për një marrëveshje të re institucionale: një sistem ku shqiptarët dhe maqedonasit, por edhe komunitetet e tjera, ta shohin shtetin si shtëpi të përbashkët dhe jo si hapësirë ku njëri duhet të fitojë që tjetri të mos humbasë.
Sepse qëllimi i politikës nuk duhet të jetë administrimi i konfliktit të përhershëm, por ndërtimi i një sistemi që e bën konfliktin të panevojshëm.

BELGJIKË – ZVICËR: SHEMBUJ PËR T’U STUDIUAR, JO PËR T’U KOPJUAR

Dhe ndoshta pyetja më e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut është:
A KA ARDHUR KOHA QË EDHE NE TA NDËRTOJMË NJË SHTET QË NUK I FRIGËSOHET DALLIMEVE, POR I ORGANIZON ATO???