Presidenti amerikan, Donald Trump u shpreh të enjten (18 qershor) në një intervistë për Axios, se pasi kishte nisur luftën në Iran, nuk kishte zbuluar “asnjë kufi” të pushtetit të tij. Ndërkohë, një libër që pritet të dalë në SHBA, Regime Change (Ndryshim regjimi), nga reporterët e New York Times Maggie Haberman dhe Jonathan Swan, zbulon se presidentit të SHBA-ve i pëlqen ta shohë veten si njeriun më të fuqishëm në histori.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për testimin e kufijve të pushtetit presidencial, por për vendosjen e vetes në linjën e pushtuesve, diktatorëve dhe “njerëzve të fortë” që i kanë përkulur kombet sipas vullnetit të tyre”, vëren Axios.
Në intervistën me Axios, Donald Trump shpjegon se liderët e G7 i besuan kur ai tha me shaka: “Unë jam shefi dhe se Izraeli ka shumë respekt për mua dhe do të bëjë atë që unë them”.
Në librin e gazetarëve të New York Times ka një skenë ku ai tregon me krenari një dokument për “Njerëzit e mëdhenj”, duke deklaruar se është më i fuqishëm se Attila the Hun, Genghis Khan, Napoleoni, Stalin, Mao dhe Hitler. Ai, sipas autorëve, lexon emrat e disa prej figurave më të fuqishme të historisë dhe shpjegon se secili prej tyre kishte më pak pushtet se ai si president i SHBA-ve.
“Ata nuk kishin avionë, apo jo? Nuk mund të udhëtohej si sot”, tha Donald Trump duke iu referuar Aleksandrit të Madh, Jul Cezarit, Uilliam Pushtuesit dhe madje edhe Napoleonit.
Autorët e Regime Change vërejnë “kënaqësinë e dukshme që ai ndjen duke u krahasuar me Mao, Hitler dhe Stalin”, si dhe mënyrën e qetë me të cilën e pranon vendin e tij mes figurave që kanë formësuar botën përmes pushtimeve dhe frikës.
Në intervistën me Axios, Donald Trump përmend Xi Jinping dhe Narendra Modi si liderët që admiron më shumë. Për Xi tha se “mendon vetëm për biznesin”, ndërsa Modi është “i fortë”.
Ai nuk pranoi të përmendte liderët që i konsideron të dobët, por shprehu keqardhje për mungesën e Vladimir Putin në G7, pas përjashtimit të Rusisë pas aneksimit të Krimesë në 2014. Po ashtu, u ndal te vendimi i Emmanuel Macron për të organizuar një darkë në Versailles për nder të tij, të cilën ai e përshkruan si “dobësia ime”.
Sipas tij, aleatët vlejnë vetëm nëse pranojnë kush ka pushtetin real.
“Nëse nuk do të isha unë, Izraeli nuk do të ekzistonte sot”, tha ai për Axios, duke shtuar për Benjamin Netanyahu se marrëdhënia e tyre është “e mirë, por duhet ta mbajmë me mend në vendin e duhur”.
Donald Trump përdori tone të ngjashme edhe ndaj kritikëve republikanë që u zemëruan për marrëveshjen me Iranin, duke i quajtur “ekstremistë“.
Edhe pse marrëveshja nuk përputhej plotësisht me kërkesat e tij fillestare, ai e quajti atë “dorëzim pa kushte” të Iranit dhe provë të një “ndryshimi regjimi”. I vetmi kufizim që pranon është gjendja e ekonomisë. “Kam vetëm një dëshirë si president… nuk dua të jem si Herbert Hoover”, i lidhur përgjithmonë me Depresionin e Madh.
/tvklan.al


