Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në mbledhjen e pestë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim, theksoi se suksesi i një strategjie nuk duhet të matet me numrin e faqeve që përmban, por me ndikimin konkret që ka në jetën e qytetarëve informon Tetovasot.
Duke folur për Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit 2024-2044, Mickoski tha se dokumenti përfaqëson një nga projektet më të rëndësishme strategjike të shtetit, pasi bazohet në konsensus të gjerë shoqëror, ekspertizë profesionale dhe planifikim afatgjatë.
“Qytetarët nuk kërkojnë më strategji dhe premtime të reja. Ata kërkojnë rezultate konkrete, vende më të mira pune, të ardhura më të larta, arsim më cilësor, shëndetësi më të mirë dhe institucione efikase,” deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, sfida më e madhe për të ardhmen mbetet demografia. Ai paralajmëroi se asnjë reformë ekonomike apo investim nuk do të ketë kuptim të plotë nëse të rinjtë vazhdojnë të largohen nga vendi.
“Politika demografike nuk është vetëm çështje statistikash. Është çështje e qëndrueshmërisë kombëtare dhe e së ardhmes së shtetit. Duhet të krijojmë kushte që të rinjtë të qëndrojnë këtu, të krijojnë familje këtu dhe të besojnë se fëmijët e tyre do të kenë një jetë më të mirë,” theksoi Mickoski.
Ai nënvizoi se zhvillimi i ardhshëm duhet të mbështetet në investime, inovacione, transformim digjital dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, duke shtuar se Maqedonia duhet të njihet si një vend që ofron stabilitet, parashikueshmëri dhe vizion të qartë zhvillimor.
Mickoski vlerësoi se raporti vjetor për zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit nuk është fundi i një procesi, por fillimi i një rruge të gjatë që kërkon përkushtim, vazhdimësi dhe pjekuri politike.
“Viti 2044 nuk duhet të mbetet vetëm një numër në një dokument strategjik, por një moment kur me krenari do të mund të themi se kemi ndërtuar një Maqedoni më të fortë, më të zhvilluar dhe më të drejtë,” përfundoi ai.



