Zv/ministri Sulejmani: Inovacionet në arsim nuk janë më zgjedhje, por domosdoshmëri

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka marrë pjesë në seminarin me temë “Zhvillime inovative në arsim”, i organizuar nga MATÜSITEB nën patronazhin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Shkup.

Në fjalën e tij, Sulejmani theksoi rëndësinë e përshtatjes së sistemit arsimor me ndryshimet e shpejta teknologjike dhe shoqërore, duke vlerësuar se inovacioni në arsim nuk është më një zgjedhje, por një nevojë e domosdoshme.

“Në një kohë kur ndryshimet teknologjike dhe shoqërore po zhvillohen me ritme të shpejta, arsimi duhet të jetë në hap me këto procese. Inovacionet në procesin edukativo-arsimor nuk janë më një zgjedhje, por një domosdoshmëri për ndërtimin e një sistemi arsimor modern, cilësor dhe gjithëpërfshirës”, deklaroi Sulejmani.

Ai nënvizoi se përdorimi i metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe teknologjive digjitale luan rol kyç në zhvillimin e potencialit të nxënësve dhe përgatitjen e tyre për të ardhmen.

“Përdorimi i metodave bashkëkohore të mësimdhënies, teknologjive digjitale dhe qasjeve kreative në mësim nxjerr në pah potencialin e nxënësve, rrit cilësinë e të nxënit dhe i përgatit të rinjtë për sfidat e së ardhmes”, tha ai.

Zëvendësministri falënderoi organizatorët për organizimin e seminarit, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira në fushën e arsimit.

“Falënderoj organizatorët për këtë iniciativë të vlefshme, e cila krijon hapësirë për shkëmbimin e përvojave, ideve dhe praktikave më të mira në fushën e arsimit”, u shpreh Sulejmani.

Në fund, ai theksoi se vetëm përmes bashkëpunimit dhe inovacionit mund të ndërtohet një sistem arsimor që i përgjigjet kërkesave të kohës moderne.

“Vetëm përmes bashkëpunimit dhe inovacionit mund të ndërtojmë një arsim që i përgjigjet nevojave të shekullit XXI”, përfundoi Sulejmani.