Gati një dekadë nga themelimi, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup shënoi sot një arritje historike. Në seancën e 105-të të Kuvendit të RMV-së, me 59 vota “PËR” dhe asnjë kundër, u miratuan ndryshimet dhe plotësimet e Statutit të Universitetit, duke kurorëzuar procesin e konsolidimit institucional.
Kjo reformë substanciale sjell këto përmirësime kyçe:
- Zyrtarizimi i tre fakulteteve të reja: Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Shkencave Humane.
- Diploma në tri gjuhë: Mundësimi i lëshimit të diplomave dhe shtojcave të tyre në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze.
- Modernizimi institucional: Përditësimi i simboleve zyrtare dhe dispozitave në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet evropiane.
“Ky akt dëshmon pjekurinë dhe vizionin afatgjatë të UNT-së për të ndërtuar një institucion modern dhe konkurrues. Udhëheqësia e UNT-së shpreh mirënjohje të thellë për stafin akademik e administrativ, studentët dhe të gjitha institucionet qeveritare e parlamentare që kontribuan në këtë sukses të përbashkët”, thonë nga UNT.



