Maqedoni, rregulla më të rrepta dhe gjoba më të larta për përdoruesit e trotinetëve

Ministria e Punëve të Brendshme po përgatit ndryshime ligjore me të cilat do të rregullohet përdorimi i trotinetëve elektrikë, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion, njoftoi ministri Pançe Toshkovski.

Gjatë prezantimit të projektit kombëtar “Ndërprerja e ciklit të dhunës – parandalimi sistematik i dhunës familjare dhe asaj mes bashkëmoshatarëve përmes sistemit arsimor”, ai theksoi se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do të dorëzojë propozim-ndryshime në Ligjin për Sigurinë e Komunikacionit në Rrugë, të përgatitura mbi bazën e rekomandimeve të ekipeve të ekspertëve dhe shërbimeve profesionale të MPB-së.

“Do të shkojmë drejt ashpërsimit të politikës ndëshkuese dhe të rregullativës në pjesën e drejtimit të trotinetëve elektrikë, veçanërisht te më të rinjtë”, theksoi Toshkovski.

Sipas tij, analizat tregojnë se numri më i madh i aksidenteve me trotinetë ndodh te popullata e re, veçanërisht te personat deri në moshën 17 dhe 18 vjeç. Ai theksoi se përdorimi i paligjshëm, ngasja në grupe dhe pa pajisje mbrojtëse çon në pasoja serioze.

“Drejtimi i paligjshëm, ngasja nga dy ose tre persona në një trotinet, pa helmeta dhe pa respektuar rregullat, sjell pasoja serioze”, nënvizoi ministri.

Toshkovski shtoi se një pjesë e ndryshimeve do të përfshijë edhe rritjen e kufirit të moshës për përdorimin e trotinetëve elektrikë, me qëllim mbrojtjen më të madhe të pjesëmarrësve më të rinj në komunikacion.

Sa i përket problemeve me kalimin e paligjshëm te Bit Pazari, ministri informoi se kjo çështje tashmë është hapur në koordinimet ndërmjet MPB-së dhe Qytetit të Shkupit dhe se priten masa konkrete në periudhën e ardhshme.

“Ekzistojnë koordinime të rregullta dhe kjo temë tashmë është shqyrtuar. Në të ardhmen prisni veprime konkrete për përmirësimin e sigurisë”, deklaroi Toshkovski.

Ai theksoi se, përveç masave institucionale, kyçe mbetet edhe përgjegjësia personale e qytetarëve në respektimin e rregullave të komunikacionit.