Që nga fillimi i vitit, çdo 48 orë në RMV ka ndodhur një rast i ri dhune midis nxënësve

Rritja e dhunës në familje po ecën paralelisht me shtimin e numrit të incidenteve mes nxënësve, ndërsa fëmijët që çdo ditë janë dëshmitarë të agresionit në shtëpi, gjithnjë e më shpesh e transferojnë atë edhe në bankat shkollore. Këta tregues alarmues i kanë bashkuar institucionet në një nismë të re, që synon njohjen e hershme dhe parandalimin e dhunës përpara se ajo të përshkallëzohet në agresion mes bashkëmoshatarëve, transmeton Portalb.mk.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, gjatë promovimit të projektit “Ndërprerja e ciklit të dhunës – parandalimi sistematik i dhunës familjare dhe asaj mes bashkëmoshatarëve përmes sistemit arsimor”, vlerësoi se dhuna mes nxënësve nuk lind në shkollë, por më së shpeshti i ka rrënjët në mjedisin familjar.

“Fëmijët nuk bëhen agresivë në shkollë, por zakonisht vijnë agresivë nga shtëpia. Do të punojmë për krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm për njohjen e hershme, parandalimin dhe reagimin e duhur ndaj dhunës familjare ndaj fëmijëve ose neglizhimit të tyre, përmes lidhjes së sistemit arsimor, institucioneve dhe familjeve në një rrjet të përbashkët mbrojtjeje dhe mbështetjeje”, deklaroi Janevska.

Ajo njoftoi se nga java e ardhshme do të fillojnë trajnimet për psikologët shkollorë, pedagogët dhe punonjësit socialë në arsimin fillor, me qëllim që të identifikojnë në kohë fëmijët viktima të dhunës familjare përmes sjelljes së tyre dhe të ndërmarrin masa përkatëse. Paralelisht do të organizohen diskutime me mësuesit, prindërit dhe nxënësit, ndërsa mbi bazën e përvojave dhe rekomandimeve të marra do të përgatitet edhe një protokoll i unifikuar për veprim në rast dyshimi për dhunë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, paralajmëroi se shifrat me të cilat disponon MPB-ja tregojnë një trend shqetësues.

“Në të njëjtën periudhë kur rritet dhuna familjare, rritet edhe dhuna mes nxënësve. Nuk mund të themi me siguri se çdo rast konkret është i lidhur, por ekspozimi ndaj dhunës në shtëpi është një nga faktorët më të fortë të rrezikut për agresion të mëvonshëm”, tha Toshkovski.

Nga 1 janari deri më 28 maj të këtij viti janë regjistruar 768 vepra penale të lidhura me dhunën në familje, që është 67 përqind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin evidentuar 460 raste. Vetëm në dy javët e para të qershorit janë regjistruar edhe 89 vepra të reja penale.

Këtë vit janë regjistruar 93 incidente në 64 shkolla, ndërsa veçanërisht shqetësues është fakti se dhuna ndaj fëmijëve është më shumë se dyfishuar. Në të njëjtën periudhë janë evidentuar edhe gjashtë raste të përdhunimit të një fëmije nën moshën 15 vjeç, krahasuar me vetëm një rast vitin e kaluar.

MPB-ja, nga viti i ardhshëm shkollor, do të vendosë zyrtarë kontakti brenda dhe jashtë shkollave, të cilët do të zhvillojnë takime të rregullta me këshillat e nxënësve, do të mbajnë aktivitete edukative për dhunën mes bashkëmoshatarëve dhe dhunën online, si dhe punëtori për bullizmin kibernetik dhe përdorimin e sigurt të internetit.

Ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, theksoi se dhuna mes bashkëmoshatarëve nuk është problem i izoluar, por pasojë e marrëdhënieve të dëmtuara familjaremungesës së mbështetjes emocionale dhe ndikimeve negative nga hapësira digjitale.

“Duhet të veprojmë shumë më herët – në familje, në kopsht, në shkollë, në komunitetin lokal dhe në mjedisin digjital. Vizioni ynë është i qartë – shkolla pa frikë dhe një shoqëri në të cilën dhuna nuk ka vend”, theksoi Limani.

Nga Oda e Psikologëve paralajmërojnë se fëmija agresiv shpesh është një fëmijë që ka mësuar se dhuna është mënyra e vetme për të shprehur dhimbjen e tij.

“Nëse trajtojmë vetëm pasojën dhe jo shkakun, rrezikojmë që cikli i dhunës të vazhdojë edhe te gjeneratat e ardhshme”, tha psikologia Emilija Boshkovska.

Institucionet pajtohen se dënimet dhe reagimi penal-juridik janë të domosdoshme, por se zgjidhja afatgjatë qëndron te parandalimi në kohë dhe te një sistem që do të arrijë ta njohë fëmijën përpara se trauma e tij të shndërrohet në dhunë.

Kujtojmë se në prill të këtij viti, ministrja, Vesna Janevska, bën thirrje për mbështetje nga prindërit, pasi thotë se institucionet nuk mund të përballen të vetme me këto dukuri.

Së fundmi janë regjistruar disa raste të dhunës midis të rinjve dhe nxënësve në shkollat e vendit. Ndër rastet e fundit të dhunës mes bashkëmoshatarëve është edhe ai në Gjorçe Petrov, ku u raportua se një grup prej katër vajzash keqtrajtonin një vajzë 13-vjeçare, duke e djegur me cigare dhe duke e detyruar të hajë jashtëqitje qeni, ndërsa gjithçka e incizonin me telefon celular. Edhe kundër prindërve të tyre janë ngritur kallëzime penale.

Pas kësaj, para shkollës “Stiv Naumov” në Manastir patrullonte policia pasi prindërit e nxënësve të klasës së shtatë dërguan ankesë në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, se një bashkëmoshatar kishte kërcënuar në TikTok me likuidim të nxënësve.

Së fundmi, në një shkollë në lagjen Hasanbeg të Shkupit, një ish-nxënës theri me thikë një nxënës të klasës së nëntë, i cili për shkak të lëndimeve u shtrua në kujdes intensiv në Qendrën Klinike.