Babai i vrarë dhe vëllai i zhdukur – Historia tragjike e heroit të Irakut

Ka qenë një udhëtim i gjatë dhe i pamëshirshëm drejt Kupës së Botës për qendërsulmuesin e Irakut, Aymen Hussein, i cili e çoi vendin e tij në turne për herë të parë në 40 vjet kur shënoi një gol fitoreje kundër Bolivisë në Meksikë në play-off-et ndërkombëtare.

Kur ishte vetëm 12 vjeç dhe luante futboll për një ekip vendas, babai i tij u vra brutalisht ndërsa blinte materiale për të ndërtuar shtëpinë e familjes.

Disa vite më pas, vëllai i tij më i madh u rrëmbye dhe që atëherë nuk ka pasur më asnjë lajm për të.

“Vendosa të lë futbollin për t’u kujdesur për familjen time, por nëna ime refuzoi”, tha Hussein në një intervistë. “Ajo më kërkoi të vazhdoja të luaja”.

Nëna e tij i tha: “Është ëndrra jote. E di këtë. Dhe duhet ta arrish”.

Dhe ai e ka mbajtur fort atë ëndërr që atëherë.

I lindur në vitin 1996 në fshatin al-Safra, në Irakun veri-qendror, Husseini u rrit në një familje që e siguronte jetesën duke u marrë me bujqësi dhe duke rritur dele.

Tragjedia ndodhi në vitin 2008 kur babai i tij, një ushtar në ushtrinë irakiane, u vra nga al-Kaeda, e cila në atë kohë kontrollonte disa zona.

“Ai shkoi të blinte disa materiale për shtëpinë tonë të re, në ndërtim e sipër. Disa orë më vonë, morëm një telefonatë që na thoshte se babai juaj është vrarë dhe trupi i tij është në spital”, tregoi sulmuesi.

“Ai ishte qëlluar për vdekje në zemër”.

“Në fillim nuk e besuam. Por pastaj shkuam në spital dhe gjetëm trupin e pajetë të babait tim të shtrirë atje. Ishte një katastrofë për të gjithë ne”, rrëfen ai.

Hussein iu lut familjes së tij të largohej nga fshati, por vëllai i tij më i madh, i cili iu bashkua ushtrisë irakiane pasi babai i tij u vra, refuzoi.

Kështu, në vend që të ikte, Hussein iu bashkua ekipit të futbollit të të rinjve irakianë. Ishte pas kthimit të tij nga një kamp stërvitjeje në Turqi disa vite më vonë, kur mësoi se vëllai i tij ishte zhdukur, i rrëmbyer gjatë një periudhe në të cilën ISIS kishte marrë kontrollin e zonës.

“Që atëherë nuk kemi dëgjuar asgjë për të”, thotë ai.

Mes tragjedisë, karriera e futbollit të Hussein-it po merrte hov.

Në vitin 2012, një pikë kthese erdhi kur ai u vëzhgua nga klubi Dohuk, një nga ekipet e Ligës së Yjeve të Irakut.

Hussein nënshkroi një kontratë me një pagë mujore prej 920 dollarësh.

“Sinqerisht, isha gati të luaja falas”, kujton ai. “Mund të mos e imagjinoni se çfarë do të thoshte për mua të luaja me lojtarë nga ekipi kombëtar irakian në atë kohë. Të luaja me Dohuk-un ishte ëndrra e jetës sime në atë kohë”.

Tetëmbëdhjetë muaj më vonë, ai u transferua në Bagdad për të luajtur për ekipet e Ligës së Yjeve të Irakut, përfshirë Al-Shorta, Al-Talaba dhe Al-Zawraa, duke u bërë golashënuesi më i mirë i ligës. Kohët e fundit, ai u kontraktua me klubin Al Khor të Katarit përpara se të kthehej në Irak për t’u bashkuar me Al Karma.

Me një kontratë që thuhet se vlen 1 milion dollarë, ai është bërë futbollisti më i shtrenjtë i Irakut.

Gjatë gjithë kësaj, thotë Hussein-i, babai dhe vëllai i tij kanë mbetur në mendjen e tij.

“Gjithmonë kam dëshiruar që babai dhe vëllai im të ishin ende gjallë për të parë çfarë kam arritur dhe për të ndarë momentet e lumturisë”, u shpreh futbollisti.

Herën e fundit që “Luanët e Mesopotamisë”, siç njihet ekipi kombëtar i Irakut, u kualifikuan për një Kupë Bote ishte në vitin 1986, një dekadë para se të lindte Hussein-i.

Por, edhe Kupa e Botës 2026 nuk ka ardhur pa sakrifica për të. Ai u mbajt për shtatë orë në pyetje nga autoritetet amerikane para se t’i lejohej hyrja në vend.

Dhe, ai shënon golin e dytë në historinë e Kupës së Botës për Irakun, teksa realizoi në humbjen 4-1 ndaj Norvegjisë.