Nga ministre kah fundi i listës: Rozeta Hajdari ndëshkohet me vota, mbetet jashtë Kuvendit

Ish-ministrja e akuzuar e Albin Kurtit, Rozeta Hajdari duket se u ndëshkua nga populli.

Me 8 mijë e 500 vota më pak, Hajdari nuk është as afër të sigurojë ulëse në Kuvendin e Kosovës, raporton Klankosova.tv

Rezultatet e përmbledhura nga numërimi i të gjitha votave, që është drejt fundit, i kanë dhënë ish-ministres vendin e 74-të.

Kandidatja e Vetëvendosjes, të cilës pak muaj para zgjedhjeve iu konfirmua aktakuza për skandalin me rezerva shtetërore, është votuar nga 11 mijë e 937 qytetarë në krahasim me 28 dhjetorit, ku mori 20 mijë e 479 vota.

Përveç akuzave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të cilat i konfirmoi Gjykata Themelore në Prishtinë, Hajadarit i dolën edhe bisedat nga grupi i Whatsappit bashkë me të akuzuarit e tjerë për dallaveret në këtë rast.

Ndryshe, nga lista e emrave që do të jenë në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, mungojnë edhe ish-deputetë të kësaj partie, transmeton Klankosova.tv

Aktualisht jashtë Parlamentit kanë mbetur edhe Fatos Geci, Naim Bardiqi e Bylbyl Sokoli.

Megjithatë disa prej tyre mund të sigurojnë karrige nëse VV arrin ta formojë Qeverinë dhe emrat që do të marrin poste në kabinetin qeveritar do të zëvendësohen me kandidatët në radhë.

Me numërimin e mbi 97 për qind të votave në tërësi, procesi po shkon drejt fundit dhe tashmë dihet për numrin e mandateve në secilën parti politike, raporton Klankosova.tv