Rama krahason gjuhën e protestës me ekstremizmin: Terrori i rrugës nis me akte që duken të vogla

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara së fundmi në Tiranë, duke paralajmëruar për rreziqet që sipas tij paraqet gjuha e urrejtjes, intimidimi dhe linçimi publik në hapësirën demokratike.

Në një postim në media sociale, Rama u shpreh se një nga mësimet më të rëndësishme të historisë është se ekstremizmi e kërkon pushtetin duke nisur nga rruga, duke zëvendësuar argumentin me britmën dhe dialogun me rrethimin e kundërshtarëve.

Sipas tij, lëvizjet ekstremiste në Evropën e periudhës para Luftës së Dytë Botërore kanë ndjekur të njëjtën logjikë, ndërsa sot këto fenomene janë fuqizuar edhe më shumë nga rrjetet sociale dhe interneti.

“Kush nuk mendon si turma bëhet objekt i bullizmit masiv online, i fyerjeve, kërcënimeve, linçimit publik dhe fushatave të organizuara të damkosjes. Qëllimi nuk është debati. Qëllimi është heshtja”, shkruan Rama.

Kryeministri argumenton se presioni ndaj individëve nis shpesh me veprime që në pamje të parë duken të vogla, si sharjet, poshtërimi publik, intimidimi apo marshimet në rrugë, por që sipas tij krijojnë një klimë frike dhe presioni ndaj atyre që mendojnë ndryshe.

Duke iu referuar një videoje të publikuar nga qendra e Tiranës gjatë mbrëmjes së kaluar, Rama tha se pamjet tregojnë qartë natyrën e protestës, duke përmendur sharjet nga tribuna, thirrjet për linçim dhe sloganet e protestuesve.

“Videoja më poshtë nga qendra e Tiranës mbrëmë flet vetë dhe është një tjetër pasqyrë ku mund të shihet çdokush që sheh qytetari demokratike në fjalorin e kësaj proteste”, shprehet ai.

Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur protestat e ditëve të fundit kanë dominuar debatin politik në vend, me përplasje të forta mes mazhorancës dhe organizatorëve të tubimeve lidhur me karakterin dhe mesazhet e tyre.