Qeveria e RMV-së miratoi Projektligjin: Qytetarët do të deklarojnë dhurimin e organeve gjatë vizitës te mjeku amë

Qeveria, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, sot miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime shërimi. Me ndryshimet e propozuara, thotë Ministria e Shëndetësisë, çdo qytetar madhor, gjatë vizitës te mjeku i tij amë, do të japë deklaratë nëse pajtohet ose jo që pas vdekjes së tij të jetë dhurues i organeve dhe indeve për qëllime shërimi, transmeton Portalb.mk.

Kjo deklaratë do të evidentohet në listën e sistemit kombëtar të evidencave elektronike në shëndetësi – “Termini im”. Ligji parashikon gjithashtu mundësinë që qytetari në çdo kohë ta ndryshojë vendimin e tij.

“Me këto ndryshime, për herë të parë shteti do të ketë një pasqyrë më të saktë mbi gatishmërinë e qytetarëve, si dhe mbi nivelin e informimit dhe besimit të tyre ndaj dhurimit të organeve.

Njëkohësisht, me ndryshimet e propozuara zgjerohet edhe rrethi i dhuruesve të gjallë, kështu që përveç të afërmve të përfshirë deri më tani, do të përfshihen edhe të afërm të tjerë në vijë anësore deri në shkallën e katërt të farefisnisë, përkatësisht edhe kushërinjtë e parë. Ndërkohë, mbetet në fuqi mekanizmi mbrojtës përmes komisionit etik, i cili do të verifikojë vullnetarizmin e aktit dhe mungesën e çdo forme presioni”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Për më tepër, parashikohen edhe zgjidhje të tjera për lehtësimin e procedurave, përfshirë thjeshtimin e hapave administrativo-teknikë në pjesën e përcaktimit dhe konfirmimit të vdekjes së trurit.

“Me këtë zgjidhje ligjore bëjmë një hap të rëndësishëm drejt një sistemi në të cilin vullneti i qytetarit do të shprehet qartë, do të mbrohet më shumë dhe do të respektohet në mënyrë më konsekuente. Akti i dhurimit të organeve do të buronte nga një vendim i lirë dhe i informuar. Në të njëjtën kohë, me zgjerimin e rrethit të dhuruesve të gjallë krijojmë mundësi të reja për trajtim mjekësor, gjithmonë brenda kornizave të rrepta mjekësore, etike dhe ligjore”, thotë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Kujtojmë se në shkurt të këtij viti, Bashkësia Fetare Islame dhe Kisha Ortodokse Maqedonase mbështetën dhurimin e organeve. Ata thanë se dhurimi i organeve për të shpëtuar jetën e dikujt nuk është kundër mësimeve të fesë.

“Ne gjithashtu ndihmojmë në këtë mënyrë përmes kontakteve me njerëzit, nëse mund të vijmë deri te një donator i cili do të ndihmojë dhe të realizojë plotësisht dëshirën e tyre për të pranuar organ, për të shpëtuar jetën e tyre dhe për të vazhduar në mënyrë aktive si në familje ashtu edhe në shoqëri”, tha At Dimçe-KOM.

Kisha Katolike mendonte në të njëjtën mënyrë.

“Pozicioni është pozitiv dhe jo vetëm kaq, por kisha thërret dhe përmes dokumenteve të saj zyrtare inkurajon besimtarët të dhurojnë organe. Dhurimi i organeve është një shprehje dashurie ose, siç e quajti i ndjeri Papa Gjon Pali II, një akt heroik. Dhurimi i organeve është heroizëm”, u shpreh Oliver Tantushev- Kisha Katolike.

Rreth 200 persona në vend janë në listën e pritjes për transplantim organesh. Numri më i madh është për veshka, tridhjetë për zemrën, njëzet për mëlçinë. Pacientja më e re është një 26-vjeçare që pret të bëjë transplantim të zemrës. Dhjetë pacientë që presin për një transplantim të zemrës janë detyruar të mbajnë mbështetje mekanike të zemrës vite me radhë.