SWISS pezullon fluturimet Gjenevë-Prishtinë për sezonin dimëror

Kompania ajrore SWISS, pjesë e Grupit Lufthansa, ka njoftuar ndryshime të rëndësishme në orarin e saj të fluturimeve nga Gjeneva për sezonin dimëror 2026/27. Si pasojë e problemeve të vazhdueshme globale me motorët dhe mungesën e pjesëve rezervë për flotën Airbus A220, kompania ka vendosur të zvogëlojë disa shërbime për të garantuar stabilitet operacional.

Për këtë arsye, SWISS do të ndërpresë fluturimet nga Gjeneva drejt Berlinit, Hamburgut dhe Prishtinës. Disa nga avionët e kësaj flote kanë mbetur të bllokuar në tokë për muaj të tërë për shkak të vonesave në mirëmbajtje nga prodhuesit.

Nga ana tjetër, kompania po riorganizon rrjetin duke u fokusuar në destinacione të tjera. Nga Gjeneva do të operohet në 15 destinacione me distancë të shkurtër, ndërsa nga Cyrihu udhëtarët do të kenë akses në 60 pika evropiane dhe 24 ndërkontinentale. Risia e këtij sezoni është shtimi i linjës së re ditore (përveç të hënave dhe të mërkurave) nga Cyrihu drejt qytetit Bengaluru në Indinë Jugore.