Një ekip mobil i Doganave të Maqedonisë së Veriut ka parandaluar një tentativë për kontrabandimin e stolive prej ari me vlerë të përgjithshme prej rreth 1.5 milion denarësh (rreth 24 mijë euro).
Rasti është zbuluar në hyrje të vendit, në pikën kufitare Bllacë, ku inspektorët e Departamentit për Çështje Operative, pas dyshimeve të bazuara, kanë kryer kontroll të një automjeti të drejtuar nga një shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kontrollit janë gjetur ar i thërrmuar dhe stoli prej ari me peshë totale prej 324.7 gramësh. Sipas autoriteteve doganore, sendet ishin mbështjellë në një qese të zezë dhe ishin fshehur në ndarjen poshtë ulëses së shoferit, me qëllim shmangien e kontrollit doganor.
Lënda i është dorëzuar Departamentit të Hetimeve, i cili ka paraqitur kallëzim penal ndaj personit me inicialet I.M. në Prokurorinë Publike të Shkupit për veprën penale të kontrabandës, e paraparë dhe e dënueshme sipas Kodit Penal.



