Zëdhënësja e qeverisë, Venera Latifi Azizi në një deklaratë për “Newsmax Balkans” ka dhënë detaje rreth miratimit të fazës së parë të Propozim-ligjit për lojërat e fatit në Kuvend, me qëllim vendosjen e kontrollit më të rreptë dhe mbrojtjen e qytetarëve nga pasojat e bixhozit.
Azizi thotë se me këtë ligj mbrohen familjet nga varfërimi si dhe mbrohen fëmijët dhe brezat e rinj nga kjo dukuri e shëmtuar.
“Kemi për qëllim të mbrojmë familjet nga varfërimi, kemi për qëllim të mbrojmë fëmijët dhe gjeneratat e reja nga ajo që kazinotë apo objektet që merren me bixhoz të jenë sa më larg shkollave fillore dhe të mesme, pra do jenë në një distancë prej 500 metra largësi”, ka thënë Azizi.
Sipas saj është kjo një plagë shumëvjeçare që kanë për qëllim ta përmbyllin një herë e përgjithmonë dhe të vendoset rend.
“Më parë kjo zhvillohej pa asnjë kontroll dhe rend dhe njerëzit varfëroheshin, tani po gjejmë zgjidhje”, shprehet zëdhënësja Azizi.
Paralelisht kësaj me këtë masë qeveritare janë mbyllur rreth 358 platforma ilegale onlajn, ndërsa gjithashtu, nuk do të lejohen figura publike dhe përmbajtje të dedikuara për të mitur në promovimin e lojërave të fatit.
Me këtë ligj, shteti madje ka obligim të mbrojë familjet, të rinjtë dhe interesin publik, duke vendosur qytetarët përpara interesave të industrisë së bixhozit.





