VLEN: Mbështetja për bizneset, motor i rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës

Nga VLEN thonë se vazhdojnë të dëshmojnë se zhvillimi ekonomik nuk ndërtohet me premtime, por me politika konkrete që mbështesin bizneset, investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Në këtë drejtim, nga VLEN thonë se ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, u ka bërë thirrje të gjitha kompanive që i plotësojnë kushtet e Ligjit për Mbështetje Financiare të Investimeve të aplikojnë brenda afatit dhe të shfrytëzojnë mbështetjen që ofron shteti.

“Ky ligj u jep kompanive mundësi për mbështetje financiare në investime në kapacitete të reja prodhuese, pajisje dhe teknologji moderne, në hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe në projekte në fushën e hulumtimit dhe zhvillimit. Këto masa synojnë të forcojnë konkurrueshmërinë e kompanive dhe të krijojnë një ekonomi më të fortë dhe më dinamike”.

“VLEN beson se zhvillimi ekonomik vjen nga mbështetja e sipërmarrjes, bizneseve familjare dhe të rinjve inovatorë. Prioritet mbeten investimet, ulja e pengesave administrative dhe krijimi i kushteve që shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend”.

“Mbështetja e sektorit privat nuk është vetëm politikë ekonomike, por një investim në mirëqenien e qytetarëve dhe në zhvillimin afatgjatë të shtetit. Prandaj, VLEN do të vazhdojë të mbështesë çdo politikë që nxit inovacionin, produktivitetin dhe krijimin e vendeve cilësore të punës”, thonë nga VLEN.