Thirrje kompanive për mbështjetje financiare! Durmishi: Mund të aplikohet deri më 15 qershor

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot u bëri thirrje të gjitha kompanive që kanë bërë investime dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara nga Ligji për Mbështetjen Financiare të Investimeve që të shfrytëzojnë mundësinë për mbështetje shtetërore dhe të aplikojnë deri më 15 qershor. Gjatë vizitës të disa prej kompanive që e kanë shfrytëzuar këtë ndihmë vitin e kaluar, ai i inkurajoi kompanitë ta shfrytëzojnë këtë mundësi për mbështetje shtesë për planet e tyre të zhvillimit, duke ndikuar edhe në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe kombëtare përmes investimeve të reja.

“Nga këtu u bëj thirrje të gjitha kompanive që kanë bërë investime dhe plotësojnë kushtet të aplikojnë te Ministria Ekonomisë dhe punës më së voni deri më 15 qershor dhe të përfitojnë nga mbështetja që u është në dispozicion nga Ligji për përkrahje financiare të investitorëve. Kjo mbështetje ka të bëjë me të gjitha kompanitë prodhuese që mund të rrisin kapacitetin e tyre me rritje të numrit të punëtorëve, për hulumtim dhe zhvillim, për teknologji të reja, etj”, tha Besar Durmishi

“Ne jemi të pranishëm tani më në 35 tregje të huaja, dhe ky lloj i ndihmës neve na jep një krah që më lehtë t’i përballojmë hyrjet në tregjet e reja, sidomos ato të mëdha, të cilat janë vështirë të përballueshme për kompani që vijnë nga shtete të vogla, dhe ky lloj i përkrahjes sigurisht që na jep një lehtësim në rreziet që ndërmarrim në tregjet e huaja”, tha Norik Selimi.