Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shkruar një mesazh ngushëllimi për diplomatin dhe publicistin, Arsim Zekolli.
Ja postimi i tij i plotë:
Isha në Vjenë kur mora lajmin e trishtë se Arsim Zekolli ka vdekur. Dje vizituam familjen e tij në Bllacë të Suharekës për ngushëllime dhe ende nuk më besohet që nuk do ta shohim e dëgjojmë më. I kam mbresat e pashlyeshme nga një njeri me dije të gjerë që mendonte e rimendonte rishtas dhe thellë teksa fliste.
Kur një punëtor i inteligjencës politike qytetare dhe i ndjeshmërisë së lartë kulturore si Arsim Zekolli largohet nga kjo botë, humbja nuk mbetet vetëm brenda familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve. Ajo ndihet edhe në jetën publike e shoqërore, aty ku fjala, mendimi dhe guximi lënë gjurmë.
Pikëllimi për ndarjen nga jeta të Arsim Zekollit, diplomatit e intelektualit të njohur shqiptar nga Maqedonia e Veriut, do të mbetet gjatë me ne.
Do të na mungojnë tekstet e tij, sepse nuk zëvendësohen kollaj qëmtimet dhe përsiatjet e tij. Arsimi shkruante sepse mendonte dhe mendonte sepse të menduarit ishte tipari i tij kryesor. Ishte prej atyre njerëzve që mendimin nuk e përdorte për t’u rehatuar. Shqyrtimi i tij shqetësonte atë vetë dhe të tjerët. Kur shkruante, nuk e bënte për të ndjekur opinionin, por për ta sfiduar atë. Fjala e tij kishte peshën e karakterit të pavarur.
Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta familjes Zekolli, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën, e lexuan dhe e vlerësuan.
U prehtë në paqe!



