Ushtria amerikane ka goditur gjatë natës shumë objektiva në Iran. “Sulmet janë një reagim ndaj agresionit të pajustifikuar dhe të vazhdueshëm të Iranit”, njoftoi në platformën X Komanda Rajonale e SHBA-së për Lindjen e Mesme, CENTCOM. Sipas saj, bëhet fjalë për “goditje vetëmbrojtëse”. Thuhet se janë goditur sisteme mbikëqyrëse ushtarake, sisteme komunikimi dhe pozicione të mbrojtjes ajrore në të gjithë vendin.
Ndërkohë ushtria amerikane ka njoftuar se ka ndaluar sërish sulmet ndaj objektivave në Iran. Këtë e bëri të ditur në orët e para të mëngjesit në platformën X komanda rajonale përkatëse, CENTCOM.
Ushtria iraniane deklaroi, se reagoi ndaj sulmeve të reja amerikane duke bllokuar plotësisht Ngushticën e Hormuzit, si dhe me kundërsulme ndaj objektivave në shtetet e Gjirit, Bahrein dhe Kuvajt. Çdo anije që përpiqet të kalojë këtë ngushticë detare, e cila është e rëndësishme për tregtinë e naftës dhe gazit, do të sulmohet, thuhej në një deklaratë të udhëheqjes ushtarake iraniane të transmetuar nga radioja shtetërore. Sipas radios, dy anije janë qëlluar.
Pas kësaj erdhi përgënjeshtrimi parë nga Komanda Rajonale. CENTCOM shkroi në platformën X: “Anijet tregtare vazhdojnë edhe sonte të hyjnë dhe të dalin nga Ngushtica e Hormuzit.” Kurse mediat shtetërore iraniane e cilësuan këtë pretendim si të pavërtetë.
“Do t’i bombardojmë deri në shkatërrim të plotë”
Sipas një raportimi mediatik, presidenti amerikan Donald Trump i ka hedhur Teheranit akuza për një shkelje veçanërisht të rëndë të armëpushimit që, sipas tij, ka qenë në fuqi prej dy muajsh. Ai e quajti atë “armëpushimin më të shkelur në historinë e botës”, citoi një reporter i rrjetit amerikan Fox News nga një bisedë me presidentin. Se për cilin incident konkret e kishte fjalën Trump me këtë akuzë, mbeti e paqartë. Trump ka lënë të kuptohet se bombardimet mund të përfundojnë së shpejti, raportoi gazetari i Fox News, Trey Yingst, në platformën X. Por nëse Teherani nuk nënshkruan një marrëveshje kornizë për t’i dhënë fund luftës, “do t’i bombardojmë deri në shkatërrim të plotë”, thuhet se ka kërcënuar Trump./ DW/
© SYRI.net



