Drama në Aeroportin e Prishtinës: Kur rusët shkelën para NATO-s në Sllatinë

Rreth 200 rusë hynë në Kosovë nga Republika Sërpska në Bosnjë dhe Hercegovinë më 11 qershor 1999. Ata morën kontrollin e Aeroportit të Prishtinës disa orë përpara mbërritjes së forcave të NATO-s, duke krijuar një nga momentet më të rrezikshme të përplasjes mes Rusisë dhe Perëndimit që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Për shumë historianë dhe analistë, aksioni i Rusisë përfaqësonte një llogaritje strategjike me rrezik të lartë sepse hyrja e rusëve në Kosovë ishte kryer pa koordinim paraprak me NATO-n, në një periudhë kur aleanca ushtarake përgatitej të vendoste forcat paqeruajtëse pas përfundimit të fushatës ajrore kundër Serbisë.

Rusia vepronte krah për krah me Serbinë, në përpjekje për të ruajtur ndikimin e saj në vend dhe për të siguruar një pozicion më të volitshëm në arkitekturën e re të sigurisë që ishte duke u ndërtuar nga NATO.

Komandanti Suprem i NATO-s, gjenerali amerikan, Wesley Clark, i cili udhëhoqi sulmet ajrore kundër Serbisë, kërkoi që ushtarët britanikë dhe francezë të merrnin kontrollin e Aeroportit të Prishtinës. Por urdhri i tij u përplas përballë refuzimit të gjeneralit britanik, Michael Jackson, i cili sapo ishte emëruar komandant i KFOR-it.

“Unë nuk dua të jem përgjegjës për fillimin e Luftës së Tretë Botërore”, raportohej të ketë thënë komandanti Jackson. Por, problemi u kapërcye duke e lejuar kontigjentin e vogël të Rusisë të mbetej në Sllatinë si pjesë e KFOR-it, deri në korrik 2003.

Në korridoret diplomatike spekulohej se kontingjenti rus mund të zgjerohej deri në 7 mijë deri në 12 mijë trupa, të cilat do të vendoseshin në zonat me shumicë serbe në Kosovë. Megjithatë, plani dështoi për shkak se Bullgaria dhe Rumania refuzuan t’u lejonin avionëve rusë përdorimin e hapësirës së tyre ajrore për të ardhur në Kosovë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, konfirmoi në vitin 2020 se si kryesues i Këshillit të Sigurisë Kombëtare ishte konsultuar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Anatoly Kvashnin, rreth lëvizjes së forcave ruse në Aeroportin e Prishtinës, dhe ai i kishte dhënë dritën jeshile: “Dhe i thashë: ‘Nëse e konsideron të përshtatshme, atëherë bëje’”.