Astrit Gashi
Në mëngjes, si zakonisht, po e pinim kafen e mëngjesit me mikun tim Nebi Mërseli. Biseda jonë mori një kthesë të dhimbshme kur ai më tregoi se pronari i lokalit ku kishte kaluar shumë orë Arsim Zekolli kishte vendosur që në tavolinën e tij të mbeteshin për disa ditë një filxhan kafeje dhe një libër një shenjë e heshtur kujtimi për njeriun që për dekada i dha dinjitet gazetarisë shqiptare.
Kur e pashë atë tavolinë, sytë m’u mbushën me lot. Nuk ishte thjesht një tavolinë. Ishte një vend ku kishin lindur mendime, analiza, kritika dhe vizione. Ishte një hapësirë ku Arsimi kishte folur me urtësinë, qetësinë dhe thellësinë që e karakterizonte.
Mendja më shkoi tek takimi ynë i fundit, permës mikut tim Nebit vetëm pak javë më parë, në një kafene pranë Hasan Prishtinës në Çarshi. Folëm gjatë. Si gjithmonë, ai fliste pa zhurmë, por çdo fjali e tij kishte peshën e një libri. Në asnjë çast nuk do ta kisha besuar se ajo do të ishte kafja e fundit që do ta pinim në këtë jetë.
Shkoi në Kosovë për t’i dhënë lamtumirën e fundit vëllait të tij. Por fati deshi që edhe ai të mos kthehej më. U largua fizikisht, por la pas një trashëgimi që nuk shuhet.
Arsim Zekolli ishte institucion. Ishte ndër ata njerëz të rrallë që e kuptuan gazetarinë jo si zanat, por si mision. Në një kohë kur shumëkush e përdorte profesionin për interes, ai e përdori për të kërkuar të vërtetën. Në një kohë kur zhurma dominonte hapësirën publike, ai dëshmoi se forca e argumentit është më e madhe se britma.
Kam lexuar shumë shkrime këto ditë për Arsimin. Kam parë dhimbje të sinqerta dhe fjalë të merituara. Por ende nuk kam parë një akademi përkujtimore në lartësinë e figurës së tij. Sepse Arsim Zekolli nuk ishte një emër i zakonshëm i gazetarisë shqiptare; ai ishte një nga mendjet më të ndritura që ka pasur hapësira jonë publike në dekadat e fundit.
Sot tavolina e tij në Çarshinë e vjetër është bosh. Filxhani i kafesë ka mbetur pa dorën që e ngrinte çdo mëngjes. Por idetë e tij vazhdojnë të jetojnë. Shkrimet e tij vazhdojnë të flasin. Mësimet e tij vazhdojnë të udhëzojnë.
Njerëz të tillë nuk vdesin kur pushojnë së marrë frymë. Ata jetojnë për aq kohë sa jeton kujtesa dhe vepra e tyre.
Pusho i qetë, Arsim.
Gazetaria shqiptare sot është më e varfër. Por historia e saj është shumë më e pasur sepse pati fatin të të kishte.





