ASH: Institucionet publike të respektojnë dygjuhësinë, ministri Aliu dhe Inspektorati për përdorimin e gjuhëve të veprojnë urgjentisht

Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë për inaugurimin e një institucioni publik me tabelë zyrtare vetëm në gjuhën maqedonase, siç shihet në videon e publikuar sot.

“Ky nuk është gabim teknik. Është shkelje e hapur e ligjit, përjashtim i gjuhës shqipe nga hapësira publike dhe fyerje ndaj qytetarëve shqiptarë.

Për këtë skandal, ministri Azir Aliu mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike dhe institucionale. Si përfaqësues i Qeverisë, detyra e tij nuk është të heshtë dhe të duartrokasë projekte që shkelin standardet ligjore të dygjuhësisë, por të sigurojë zbatimin e ligjit në çdo institucion publik që lidhet me dikasterin që ai drejton.

Pjesëmarrja e tij në këtë ceremoni, pa reagim dhe pa kërkuar respektimin e gjuhës shqipe, nuk është neutralitet. Është miratim i heshtur i një shkeljeje të dukshme.

Aleanca për Shqiptarët kërkon që tabela të hiqet menjëherë dhe të zëvendësohet me emërtim zyrtar dygjuhësh, pa vonesa dhe pa arsyetime.

Kërkojmë nga ministri Azir Aliu të japë shpjegim publik se si lejoi inaugurimin e një institucioni publik ku gjuha shqipe është injoruar plotësisht.

Kërkojmë gjithashtu nga Inspektorati për përdorimin e gjuhëve të marrë masa urgjente ndaj çdo zyrtari që ka lejuar këtë shkelje. Është koha për punë, jo për gjumë institucional.

Gjuha shqipe në institucionet publike nuk është privilegj që varet nga vullneti politik i ministrave apo partnerëve të koalicionit. Është e drejtë e garantuar me ligj dhe duhet të respektohet pa kompromis”, thonë nga ASH.