Rama sfidon protestat, nuk heq dorë nga resorti i Kushnerit

Shqipëria do të vazhdojë me projektin për ndërtimin e një resorti luksoz, të planifikuar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, në një zonë të izoluar të bregdetit ballkanik, pavarësisht protestave të vazhdueshme për ndikimin e tij në mjedis, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për agjencinë e lajmeve Reuters.

Mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e kryeqytetit Tiranë dhe në bregdetin jugor, ku është propozuar resorti, duke kërkuar anulimin e projektit, për shkak të ndikimit në një zonë të mbrojtur, që është habitat për flamingot, fokat dhe shumimin e breshkave të detit.

Flamingoja tashmë është shndërruar në simbol të lëvizjes – protestuesit mbajnë në duar zogjtë rozë dhe pankarta me mbishkrimin “Revolucioni i flamingos”.

Rama tha se zhvilluesit e projektit do të “mahnisin” me planet e tyre në muajt në vijim dhe shtoi se disa pjesë të resortit mund të hapen për publikun edhe para fundit të dekadës.

“Po ju them, do të jetë një projekt i bukur. Ne do ta bëjmë dhe do të jemi krenarë që kontribuojmë për Evropën”, tha Rama gjatë intervistës në zyrën e tij, vetëm disa metra larg vendit ku zhvillohen çdo natë protesta kundër projektit.

“Mua më kanë votuar që t’i realizoj këto gjëra. Nuk jam votuar që të drejtohem nga njerëz që kanë një ide tjetër për zhvillimin e vendit”, tha kryeministri shqiptar për agjencinë Reuters.

Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Tiranës edhe të hënën në mbrëmje, duke kërkuar ndalimin e projektit dhe duke shprehur një sërë pakënaqësish ndaj qeverisjes 13-vjeçare të Ramës, e cila, sipas tyre, nuk ka arritur të luftojë korrupsionin apo të përmirësojë shërbimet bazë.

Rama mori detyrën në vitin 2013 dhe synon ta çojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zhvillimi i resortit që ai mbështet, është ide e Kushnerit dhe bashkëshortes së tij, Ivanka Trump, të cilët kanë thënë se janë dashuruar me Shqipërinë disa vite më parë gjatë një vizite me anije.

Rama i takoi ata gjatë atij udhëtimi dhe i përshkroi si “shumë të këndshëm, modestë… njerëz të mirë”.

Tani, firma e investimeve e Kushnerit, Affinity Partners, është e përfshirë në projektin prej 1.4 miliard eurosh pranë zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë, si dhe në një tjetër projekt në ishullin e afërt të Sazanit.

Së bashku, këto projekte arrijnë vlerën deri në 5 miliardë euro, tha Rama.

“Është një ëndërr e madhe dhe ëndrrat e mëdha gjithmonë janë përballur me kundërshtime”, shtoi ai.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, më herët këtë muaj, kompania Affinity Partners tha se i respekton “proceset e vazhdueshme publike dhe institucionale” dhe se “është e gatshme të ecë përpara, ndërsa ato zhvillohen”./REL