Franca dhe Gjermania heqin dorë nga projekti i përbashkët për ndërtimin e avionit luftarak europian

Franca dhe Gjermania kanë arritur në përfundimin se kompanitë e përfshira në ndërtimin e një avioni të përbashkët luftarak nuk do të mund të arrijnë një marrëveshje dhe, për këtë arsye, kanë hequr dorë nga projekti.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, kanë arritur në “vlerësimin e përbashkët se kompanitë nuk do të mund të gjejnë gjuhë të përbashkët”, deklaroi një zyrtar për Agence France-Presse.

Macron dhe paraardhësja e Merz-it, Angela Merkel, nisën në vitin 2017 programin Future Combat Air System (FCAS), me synimin për të zëvendësuar avionët francezë Rafale dhe Eurofighter-in e përdorur nga Gjermania dhe Spanja rreth vitit 2040.

Megjithatë, projekti me vlerë 100 miliardë euro është shoqëruar vazhdimisht me mosmarrëveshje mes kompanive pjesëmarrëse, Dassault Aviation nga Franca dhe grupit europian të hapësirës ajrore Airbus, që përfaqëson interesat gjermane dhe spanjolle, lidhur me drejtimin dhe kontrollin e programit të zhvillimit.

Dassault këmbëngulte të kishte rolin drejtues në zhvillimin e avionit për të mbrojtur pronësinë e saj intelektuale, ndërsa Airbus kërkonte një partneritet më të barabartë, që do të përfshinte transferime të rëndësishme teknologjike.

Parisi dhe Berlini kishin gjithashtu mospajtime për llojin e avionit që duhej ndërtuar. Franca kërkonte një model të vetëm europian, ndërsa Gjermania argumentonte se nevojat e saj ishin të ndryshme, pasi avionët francezë duhet të jenë të aftë të mbajnë armë bërthamore dhe të operojnë nga aeroplanmbajtëset.

Merz ka shprehur më parë dyshime nëse zhvillimi i një avioni luftarak të gjeneratës së gjashtë me pilot është ende i përshtatshëm për forcat ajrore gjermane, duke theksuar se shtetet anëtare të Bashkimit Europian nuk kanë të gjitha të njëjtat kërkesa ushtarake.

Braktisja e projektit FCAS konsiderohet një goditje e rëndë për përpjekjet e vendeve europiane për të bashkëpunuar më ngushtë në fushën e mbrojtjes, pas dekadash investimesh të pamjaftueshme dhe përballë një Rusie armiqësore dhe një Shtetesh të Bashkuara gjithnjë e më pak të parashikueshme.

Programi përfshinte jo vetëm avionin luftarak që ishte në qendër të mosmarrëveshjeve, por edhe dronë dhe një sistem të avancuar e të sigurt për shkëmbimin e të dhënave luftarake. Burime europiane i thanë Reuters se është e mundur që zhvillimi i këtyre dy elementeve të fundit të vazhdojë.

Një burim nga qeveria gjermane deklaroi gjithashtu për AFP se “thelbi i vërtetë i FCAS do të vazhdojë si një sistem europian”, duke e përshkruar atë si një “sistem nervor” që lidh avionët, dronët dhe komponentë të tjerë në një tërësi të integruar.

Zyra e presidentit Macron nuk komentoi menjëherë zhvillimin. Me zgjedhjet presidenciale franceze që pritet të mbahen vitin e ardhshëm, Parisi duket se e konsideron të rëndësishëm arritjen e një rezultati pozitiv nga një prej projekteve kryesore të presidentit në largim.

Burime të qeverisë gjermane thanë se Merz dhe Macron diskutuan vendimin për t’i dhënë fund projektit gjatë një takimi të zhvilluar të premten, në kuadër të samitit mes liderëve të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Mal të Zi.

Të dy liderët kishin tentuar më herët, pa sukses, të bindnin Airbus dhe Dassault që të arrinin një marrëveshje. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të fundit për ta shpëtuar projektin dhe deklaratave publike se ishin të vendosur për suksesin e tij, përçarja mes Parisit dhe Berlinit ishte bërë gjithnjë e më e dukshme gjatë muajve të fundit.

Në muajin mars, dy ndërmjetësues, një nga secili vend, u ngarkuan me detyrën për të hartuar propozime që do të shpëtonin nismën, por pa rezultat. Ndërkohë, drejtuesi i Dassault deklaroi se kompania mund ta realizonte projektin e vetme dhe se nuk dëshironte që ai të “bashkëmenaxhohej”.

/tvklan.al