Iku një shpirt i lire

Diana TOSKA
Sot u nda nga jeta një shok, një koleg, një bohem i rrallë.
Një shpirt i lirë që zgjodhi të jetojë me dinjitet, edhe kur kjo i kushtoi shtrenjtë.
Shoqëria jonë shpesh ka një ves të hidhur:
nuk di t’i vlerësojë njerëzit e lirë sa janë gjallë.
I lë në margjina, i quan të papërshtatshëm, i dëgjon me bezdi, sepse e vërteta që thonë nuk është gjithmonë e këndshme.
Edhe Arsim Zekolli mbeti në ato margjina.
Por kurrë nuk u ankua për fatin e vet.
Jetoi thjesht, me një jetë modeste, duke ruajtur atë që shumë e humbin në rrugën drejt suksesit: dinjitetin.
Sot iku papritur.
Sikur nuk deshi të përshëndetej me këtë botë të lodhur nga hipokrizia.
E mbylli derën qetësisht, me gjithë lirinë me të cilën kishte jetuar.
Arsimi e deshi popullin e tij me gjithë zemër.
Kosovën e tij e deshi pafundësisht.
Për të shkroi, foli, polemizoi dhe ngriti zërin sa herë e ndiente të nevojshme.
Mbrëmë, si gjithmonë, përcolli me vëmendje verdiktin e popullit, i shqetësuar deri në frymën e fundit se në duart e kujt do të mbetej fati i Kosovës.
Sot në mëngjes mbylli sytë përgjithmonë.
Dhe sikur, në frymën e tij të fundit, na la një amanet të pashkruar:
Duajeni atdheun edhe kur ai nuk di t’ju vlerësojë.
Të desha dhe të vlerësova shumë, pikërisht sepse kishe shpirt bohemi.
E bohemët janë të rrallë në shoqërinë tonë.
Ndoshta prandaj nuk të kuptuan.
Ndoshta nuk të dhanë vendin që meritoje në jetë, por askush nuk mund të ta marrë vendin që ke lënë në ndërgjegjen e njerëzve të lirë.
Gëzoje amshimin, Arsim.
Ngrit një dolli për ne vdekatarët dhe na fal gjynahet tona.
Sepse personalitete si ti dinë ta bëjnë më së miri.
Lamtumirë, shoku im.