Shtetasi i Kosovës arrestohet në “Bllacë”

Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar një shtetas 42-vjeçar të Kosovës, pasi gjatë kontrollit të një automjeti transportues me targa të Kosovës në rrugën Bllacë-Shkup u gjet një sasi e madhe mallrash të markave të njohura dhe mallrash të tjera pa dokumentacion përkatës, përcjell TV21. Sipas policisë, personi është ndaluar në stacion policor nën dyshimet për vepra penale që lidhen me kontrabandën dhe shkeljen e të drejtave të markave tregtare, ndërsa mallrat janë konfiskuar. Pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzim përkatës.

“Më 7 qershor 2026, rreth orës 19:15, në rrugën nga Pikëkalimi Kufitar Bllacë drejt Shkupit, pranë tunelit të Bllacës, zyrtarët policorë të Njësisë Mobile për Masa Kompensuese pranë Departamentit për Punë Kufitare dhe Migracion kanë privuar nga liria R.Sh. (42) nga Kosova. Gjatë kontrollit të automjetit transportues “Volkswagen Transporter” me targa të Kosovës, të cilin e drejtonte ai, është gjetur një sasi e madhe mallrash të markave të njohura dhe mallra të tjera të ndryshme, për të cilat nuk posedonte asnjë dokumentacion. Për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprave penale sipas neneve 278 dhe 278-a të Kodit Penal, ai është ndaluar në stacion policor, ndërsa mallrat e gjetura janë konfiskuar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës, thonë nga MPB.