Ahmeti nga Çairi: Uniteti dhe bashkëpunimi janë çelësi i suksesit

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës së Çairit, ku theksoi rëndësinë e unitetit, respektit dhe bashkëpunimit brenda organizatës politike. Ahmeti vlerësoi kontributin e Komitetit të Veteranëve, si dhe angazhimin e nëndegëve dhe këshillave vendorë në komunikimin me qytetarët. Ai u shpreh se forcimi i kauzës politike dhe ruajtja e unitetit kombëtar mund të arrihen përmes angazhimit të përbashkët dhe respektit të ndërsjellë.

“Sot pata kënaqësinë të marr pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës së Çairit, një takim që rikonfirmoi forcën e organizimit tonë dhe vlerat mbi të cilat ndërtojmë rrugëtimin tonë politik. Besoj fuqishëm se marrëdhëniet ndërnjerëzore janë themeli i çdo suksesi. Respekti, solidariteti dhe bashkëpunimi mes nesh janë ato që na mbajnë të bashkuar dhe na bëjnë më të fortë përballë çdo sfide. Me respekt të veçantë vlerësoj rolin e Komitetit të Veteranëve, të cilët me kontributin, përvojën dhe sakrificën e tyre vazhdojnë të jenë frymëzim për brezat e rinj. Njëkohësisht, falënderoj nëndegët dhe këshillat vendorë, të cilët janë zemra e organizimit tonë dhe ura më e fortë e komunikimit me qytetarët. I frymëzuar nga porositë e sotshme, mbetem i bindur se vetëm përmes unitetit, respektit të ndërsjellë dhe angazhimit të përbashkët mund ta forcojmë kauzën tonë dhe ta ruajmë vlerën më të madhe që kemi, unitetin kombëtar. Së bashku vazhdojmë përpara, më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë”, ka shkruar Ahmeti.