Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të enjten publikoi një letër të hapur për homologun rus, Vladimir Putin, në të cilën ai propozon që dy udhëheqësit të takohen për t’u pajtuar për përfundimin e luftës, duke paralajmëruar se Kievi qëndron i gatshëm edhe për të luftuar, nëse nuk ka marrëveshje.
Në letrën e tij, për të cilën zyra e presidentit tha se është dërguar edhe te shtete të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Zelensky tha se shumica e rusëve janë lodhur nga sulmet ukrainase me raketa e dronë, inflacioni e mungesa e karburanteve dhe se ata janë të gatshëm për paqe, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zelensky tha se, kur Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara te konflikti me Iranin, “do të ishte gabim që thjesht të pritej derisa lufta në Evropë të rikthehet në qendër të vëmendjes së tyre”.
Sipas tij, rruga e paqes duhet të fillojë në vijën e frontit, “vija nga e cila duhet të fillojë diplomacia”. Ukraina, tha Zelensky, qëndron për “një armëpushim të plotë gjatë bisedimeve. Kjo është praktikë standarde.”
Presidenti ukrainas e propozoi caktimin e një date të qartë për një takim dhe tha se disa shtete “tradicionalisht kanë pritur udhëheqës për zgjidhjen e çështjeve të luftës e paqes”, duke i përmendur Zvicrën, Turqinë dhe shtetet e botës arabe.
“Mos u frikësoni që ta merrni rrugën për të dalë nga kjo luftë. Kjo është gjëja kryesore që kërkohet nga ju tani” – shkroi Zelensky.
“Ukraina e propozon përfundimin e kësaj lufte përmes angazhimit të drejtpërdrejtë mes nesh dhe juve. Unë po propozoj një takim… Nëse ju personalisht nuk arrini në përfundimin se është koha për t’i dhënë fund kësaj lufte, Ukraina do të vazhdojë të luftojë për ekzistencën e vet” – shtoi ai.
Sipas presidentit ukrainas, vazhdimi i luftës do të mund ta rrezikonte pozicionin personal të Putinit.
“Është fakt i historisë ruse që ju e dini mirë: kur Rusia lodhet, vjen ndryshimi” – shkroi ai.
Në Moskë, Kremlini tha se e ka parë letrën e Zelenskyt dhe se Putini do të njoftohet për të./Nacionale



