Çitaku: Pas zgjedhjeve do të krijojmë shumicën me partitë e tjera opozitare

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se vendi që dy vite ka hyrë në një cikël të pafund të krizave. Përveç institucionale, ajo ka thënë se kriza e ka përfshirë edhe xhepin e qytetarëve për shkak të çmimeve të larta.

Në emisionin “Zgjedhjet në Kohë” në KTV, Çitaku është shprehur optimiste se pas zgjedhjeve të 7 qershorit numrat në Kuvendin e Kosovës do të ndryshojnë dhe bashkë me partitë e tjera që kanë qenë opozitë, do e krijojnë shumicën.

“Ne besojmë se pas 7 qershorit, konfiguracioni politik në Kosovë do të ndryshojë. Ne si PDK do të arrijmë të krijojmë bashkë me subjektet e tjera politike, që deri dje kemi qenë opozitë, të krijojmë një shumicë të re parlamentare në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që vendit t’i ofrojmë qetësi, stabilitet dhe parashikueshmëri”, ka thënë Çitaku.

E pyetur se pse nuk ka pasur një bashkim të partive opozitare pas përfundimit të dy palë zgjedhjeve të tjera nacionale, Çitaku ka thënë se nuk ka të bëjë me ideologji porse shpesh koalicionet imponohen edhe nga numrat.

“Nuk ka të bëjë vetëm se a ke kimi me ndonjë subjekt tjetër politik për të arritur koalicion. Nganjëherë ato imponohen edhe nga numrat. Me Lëvizjen Vetëvendosje ne kemi dallime të thella dhe hendekun mes PDK-së e kemi shumë të thellë. PDK-ja është subjekti i vetëm politik në vend që asnjëherë nuk është magjepsur nga Albin Kurti dhe asnjëherë nuk ka kontribuuar në ndërtimin e mitit të Albin Kurtit në Kosovë. Ky refuzim i ynë në raport me ta nuk është inatçor, nuk është se kemi ndonjë mëri personale, thjesht jemi shumë të ndryshëm”, ka thënë kandidatja e PDK-së për deputete, Vlora Çitaku.