Gjatë vizitës së saj zyrtare në Republikën e Sllovakisë, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova u takua në Bratislavë me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes të Sllovakisë, Robert Kalinjak.
Sipas njoftimit të Kabinetit të Presidentes, Kalinjak riafirmoi mbështetjen e fuqishme të Sllovakisë për rrugën evropiane të Maqedonisë, duke vlerësuar se vendi ka qëndruar padrejtësisht për një periudhë të gjatë në pritje të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Procesi i zgjerimit duhet të bazohet ekskluzivisht në përmbushjen e kritereve të Kopenhagenit”, theksoi Kalinjak.
Ai ndau gjithashtu përvojat pozitive nga bashkëpunimi me institucionet maqedonase dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në disa fusha, përfshirë mbrojtjen.
Nga ana e saj, presidentja Siljanovska-Davkova shprehu kënaqësi për qëndrimin parimor të Sllovakisë ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ajo kritikoi kushtëzimet dhe kërkesat që lidhen me çështje identitare, të shoqëruara me veto, duke i cilësuar ato si të paarsyeshme.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se çështjet dypalëshe nuk duhet të përfshihen në procesin e negociatave për anëtarësim në BE.
Në prag të Samitit të ardhshëm të NATO-s, ata diskutuan edhe për situatën e sigurisë në Evropë, duke vlerësuar se forcimi i partneritetit brenda NATO-s mbetet një faktor kyç për ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe sigurisë evropiane.



