Trumpi kthen mbrapsht me ndryshime tekstin e marrëveshjes me Iranin

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar ndryshime në marrëveshjen e propozuar me Iranin pas një takimi me këshilltarët e tij të premten, kanë thënë zyrtarë amerikanë. Kjo ka bërë që negociatat e vazhdueshme mes palëve të zgjasin edhe për një javë tjetër.

Ndryshimet e sakta që ka kërkuar Trumpi nuk janë bërë të ditura menjëherë, por zyrtarët kanë thënë se ai ka insistuar për formulime më të ashpra lidhur me angazhimet bërthamore të Iranit dhe zotimin e tij për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.

Trumpi ka shprehur gjithashtu shqetësime për lehtësimet financiare që mund t’i ofrohen Iranit në kuadër të marrëveshjes, pasi dëshiron të shmangë krahasimet me atë që ai e ka quajtur “paleta me para”, të dorëzuara sipas marrëveshjes bërthamore të epokës së Barack Obamas, të cilën e konsideron të dobët.

Ky rund i ri ndryshimesh vjen një javë pasi Trumpi ka deklaruar se marrëveshja ishte “kryesisht e finalizuar” dhe kishte lënë të kuptohej se fundi i konfliktit ishte afër.

Që atëherë, zyrtarët amerikanë kanë sinjalizuar përparim drejt një marrëveshjeje që do t’i jepte fund armiqësive, do të rihapte Ngushticën e Hormuzit dhe do të çonte drejt bisedimeve më të detajuara mbi programin bërthamor iranian.

Megjithatë, edhe pasi Trumpi ka njoftuar se do të merrte një “vendim përfundimtar” gjatë mbledhjes të së premtes dhe ka publikuar disa nga kushtet e marrëveshjes në rrjetet sociale, takimi dyorësh ka përfunduar pa një vendim përfundimtar.

Ndërsa Trumpi pretendon se SHBA-ja do të merrte nën kontroll rezervat iraniane të uraniumit shumë të pasuruar dhe do t’i shkatërrojë ato, Irani ka deklaruar vazhdimisht se detajet e programit të tij bërthamor nuk janë pjesë e negociatave aktuale.

Trumpi gjithashtu ka thënë se nuk kishte pasur diskutime për shkëmbime parash si pjesë e marrëveshjes, ndërsa Irani këmbëngul se lehtësimi ekonomik duhet të përfshihet në çdo marrëveshje.

Mbetet e paqartë se si do të zgjidhen këto mospërputhje, ndërsa negociatat mbi formulimet e marrëveshjes vazhdojnë.

Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka thënë të dielën se asnjë marrëveshje me Shtetet e Bashkuara nuk do të miratohet derisa të garantohen “të drejtat” e Iranit.

“Ushtarët e fushëbetejës diplomatike nuk kanë besim në fjalët dhe premtimet e armikut. Ajo që ka rëndësi për ne janë arritjet konkrete që duhet t’i sigurojmë, në këmbim të të cilave do të përmbushim angazhimet tona”, citohet të ketë thënë ai, nga agjencia iraniane Tasnim.

Në përgjigje të kërcënimit iranian ndaj trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për tregtinë globale të energjisë, Trumpi ka urdhëruar Marinën Amerikane të bllokojë portet iraniane dhe të pastrojë ngushticën nga minat detare iraniane.

Bllokada ka vazhduar edhe gjatë negociatave. Sipas Komandës Qendror amerikane (CENTCOM) ushtria amerikane të premten ka neutralizuar një anije me flamur gambian që po lundronte drejt Iranit duke goditur me raketë dhomën e motorëve.

CENTCOM ka njoftuar se anija M/V Lian Star po shkonte drejt një porti iranian në Gjirin e Omanit kur ushtria amerikane lëshoi “më shumë se 20 paralajmërime”, duke pretenduar se ajo po shkelte bllokadën amerikane ndaj porteve iraniane.

CENTCOM-i ka thënë se kjo është anija e pestë tregtare që është çaktivizuar që nga fillimi i bllokadës.

Gjithashtu, më shumë se 100 anije të tjera janë detyruar të ndryshojnë rrugë.