Zgjedhjet në seri forcojnë narrativin e “shtetit të papërfunduar”

Zgjedhjet në Kosovë nuk mjaftojnë më për të vlerësuar cilësinë e demokracisë, nëse nuk ndiqen me qëndrueshmëri institucionale. Bllokimet e shpeshta paszgjedhore kanë ndryshuar mënyrën se si vendi perceptohet ndërkombëtarisht, duke zhvendosur fokusin nga procesi zgjedhor te kapaciteti për qeverisje.

Më 7 qershor, Kosova shkon në zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajve – një ritëm që e largon ciklin zgjedhor nga normaliteti demokratik dhe e vendos atë në logjikën e krizës së përsëritur.

Vetëm gjashtë muaj më parë, zgjedhjet prodhuan një fitues të qartë – Lëvizjen Vetëvendosje me mbi 51 për qind të votave – që në kushte normale do të nënkuptonte stabilitet politik. Por, dështimi për të zgjedhur presidentin e ri të shtetit aktivizoi afatet kushtetuese dhe e ktheu vendin sërish në kutitë e votimit.

Fushata është tashmë në lëvizje të plotë – me tubime, takime, fjalime – por përmbajtja e saj mbetet e kufizuar: më shumë akuza dhe kërkim përgjegjësish për atë që ka ndodhur, dhe më pak ide të reja për zgjidhje apo rrugë përpara.

“Ne nuk kemi pasur nevojë edhe për një fitore, por blloku opozitar ka pasur nevojë edhe për një humbje”, ka thënë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tani kryeministër në detyrë, para disa mbështetësve të tij.

“Ata që kishin mundësinë dhe përgjegjësinë për të udhëhequr, zgjodhën të mos veprojnë”, sipas një video-mesazhi të publikuar në Facebook nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

E, “a do ta lëmë Kosovën të lodhet nga përçarjet dhe nga krizat e njëpasnjëshme, siç duan të tjerët?”, ka pyetur bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani.

Mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote do të mund ta japin përgjigjen në fletëvotime, por për vëzhguesit ndërkombëtarë të zhvillimeve në Kosovë pritshmëria shkon përtej pjesëmarrjes në zgjedhje.

Ish-i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Petritsch, thotë se, mes pasigurish të mëdha globale, është koha që votuesit të sillen si qytetarë aktivë dhe kërkues, duke i dërguar mesazh të qartë udhëheqjes politike se bllokimet e zgjatura institucionale nuk janë më të pranueshme dhe se institucionet duhet të funksionojnë.

“Unë nuk dua të përfshihem në politikën e brendshme dhe nuk e di se si do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, por, në njëfarë mënyre, qytetarët duhet t’i thonë partisë dominuese dhe liderit të saj: Tani është koha të veproni, bëni diçka”, thotë Petritsch për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Ish-diplomati austriak shton se zgjedhjet e shpeshta, rivalitetet personale dhe mungesa e kompromisit po e lënë Kosovën jashtë një momenti kyç, teksa po riformësohet arkitektura e sigurisë dhe politikës në Evropë, mes luftës në Ukrainë, tronditjeve në Lindjen e Mesme dhe dobësimit të garancive amerikane.

Sipas tij, në vend që të shfaqet si një demokraci e vogël, por e besueshme, Kosova po perceptohet si një pikë shtesë paqëndrueshmërie në skajin e Evropës.

Ai thotë se 18 muaj pa qëndrueshmëri institucionale janë tepër për një shtet me siguri të brishtë si Kosova dhe paralajmëron se kjo situatë u jep argumente të tjera pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin ende pavarësinë e saj, për t’i kthyer rezervat e tyre të mëparshme në një pretendim më bindës se Kosova nuk funksionon dot si shtet i plotë.

“Çfarë të njohim? Që një vit e gjysmë nuk mund të kenë qeveri stabile, nuk mund të zgjedhin president… Pra, bëhet fjalë për një humbje dramatike të besimit se Kosova po përpiqet të jetë dhe të bëhet një shtet serioz”, thotë Petritsch.

 

Bashkimi Evropian, si tërësi, pa u përfshirë drejtpërdrejt në procesin zgjedhor, ka reaguar disa herë ndaj bllokadave, duke kërkuar formimin e institucioneve dhe daljen nga ngërçi politik.

Gjatë një vizite në Prishtinë në mes të majit, komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, u ka bërë thirrje forcave politike të gjejnë gjuhë të përbashkët për të ndërtuar institucione të qëndrueshme, në mënyrë që vendi të mund të ecë përpara në rrugën drejt bllokut evropian.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit ka vlerësuar se bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, më herët këtë muaj, një zëdhënës ka thënë se pret që të gjitha forcat politike të bashkëpunojnë për interesin më të mirë të qytetarëve të Kosovës.

Javën e kaluar, Departamenti i Shtetit i ka ofruar Kongresit edhe raportin e vet të parë për Ballkanin Perëndimor, si obligim i ri ligjor ndaj të ashtuquajturit Ligj për Demokraci dhe Prosperitet të Ballkanit Perëndimor – ku përfshihet edhe Kosova. Raporti thekson se koha kur SHBA-ja ka udhëhequr proceset e ndërtimit të shteteve, ka përfunduar.

“Administrata është e fokusuar në fuqizimin e aktorëve lokalë për t’i zgjidhur vetë sfidat e tyre, pa u mbështetur tepër te ndërhyrja apo mbikëqyrja ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ofrojnë mbështetje aty ku përfshirja e tyre kërkohet dhe kur u shërben interesave të tyre”, thuhet në raport.

Dokumenti thekson, po ashtu, se SHBA-ja vazhdon të marrë pjesë në misionin e NATO-s në Kosovë, që mbetet thelbësor për sigurinë dhe lirinë e lëvizjes, si dhe të mbështesë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale.

Lisa Homel, drejtoreshë e Qendrës për Evropë në Këshillin Atlantik, e konsideron këtë si një “sinjal domethënës” se SHBA-ja po vazhdon angazhimin e saj me Kosovën. Ndaj, Kosova “duhet të veprojë si një aleate e përgjegjshme dhe proaktive, për ta ruajtur këtë mbështetje”.

“Nëse do të jepja një këshillë, do të ishte kjo: të shihet më gjerë situata dhe të lihen mënjanë mosmarrëveshjet e brendshme, bllokadat dhe debatet e vazhdueshme. Të mendohet për atë që i sjell përfitim rajonit dhe popullsisë në pesë apo dhjetë vjetët e ardhshëm, e që unë besoj fort se është integrimi euroatlantik dhe përafrimi me institucionet e BE-së, në veçanti”, thotë Homel për Exposenë.

Ajo shton se pezullimi i Dialogut Strategjik vitin e kaluar, ka treguar se durimi i SHBA-së me politika të papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës shteron, ndonëse angazhimet për siguri mbeten të pandryshuara.

Sipas saj, reformat nuk duhet parë vetëm si mjet për integrim të afërt në BE, por si vlerë në vetvete. Si shembull paralajmërues përmend Maqedoninë e Veriut, e cila – dikur një histori suksesi – është bllokuar nga mosmarrëveshjet dhe ngërçet e brendshme politike.

“Kosova ka ambicie për t’u anëtarësuar në BE dhe në NATO, por ende ka pesë shtete të BE-së që nuk e njohin dhe dialogu me Serbinë është i bllokuar. Në këtë situatë, vendi nuk e ka luksin të mbetet i ngërthyer në kriza të brendshme politike, pasi ato e pengojnë përparimin, si dhe aftësinë e tij për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të nxitur zhvillimin dhe rritjen ekonomike”, thotë Homel.

Të dy njohësit theksojnë se, në kontekstin e paqëndrueshmërisë globale, shembjes së rendit liberal të pas Luftës së Dytë Botërore dhe përkeqësimit të sigurisë në Evropë, Kosova duhet të shfrytëzojë çdo hapësirë për të ecur përpara – sidomos në dialogun me Serbinë, që vazhdon ta bllokojë në shumë fronte – në mënyrë që, kur të ndryshojë klima politike ndërkombëtare, të mund të dëshmojë se ka bërë pjesën e saj.

Petritsch është i qartë se zgjidhja e kontestit me Serbinë nuk është çështje “fitoreje” apo “humbjeje” ndaj serbëve, por domosdoshmëri për përmirësimin e jetës së përditshme dhe forcimin e shtetësisë për qytetarët e Kosovës.

“Politika ka përgjegjësinë absolute të punojë për një zgjidhje dhe kjo kërkon edhe guxim. Nuk mund të këmbëngulësh vetëm në parime – ‘serbët janë të këqij sepse na kanë vrarë’. Kjo është e qartë, por politika ka të bëjë me të ardhmen. E kaluara nuk duhet harruar, por duhet mësuar prej saj dhe të bëhet diçka që krijon një të ardhme më të mirë për njerëzit tuaj”, thotë Petritsch.

Vëzhguesit, si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, i konsiderojnë zgjedhjet si një nga elementet më të konsoliduara të sistemit politik në Kosovë. Në vlerësimet e tyre, ato përshkruhen si konkurruese dhe në përputhje me standardet bazë demokratike, me transferim paqësor të pushtetit dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve.

Megjithatë, në disa raste është bërë edhe krahasimi me Bullgarinë, e cila në pesë vjetët e fundit ka kaluar nëpër shtatë cikle të njëpasnjëshme zgjedhore, pa arritur të prodhojë stabilitet institucional.

Homel e përmbledh këtë ngërç edhe si mungesë përgjegjësie ndaj votuesve: vullneti i qytetarëve merr kuptim vetëm kur të zgjedhurit arrijnë të ndërtojnë institucione funksionale… “e, kjo kërkon kompromis e lëshim pe”.

“Njerëzit tashmë janë të pakënaqur, por kur të kuptohet më qartë kostoja e mbetjes prapa, mund të ketë më shumë presion dhe lëvizje sesa deri tani”, thotë ajo.

Nga perspektiva e politikave të BE-së, Petritsch e sheh edhe diasporën e Kosovës si një aset strategjik, pasi, siç thotë ai, ajo funksionon me sukses brenda sistemeve të sundimit të ligjit në BE, ndërsa vendi i origjinës mbetet i bllokuar nga mungesa e përgjegjësisë dhe kompromisit politik.

Ai i nxit ata që do të votojnë më 7 qershor që t’i dërgojnë mesazh të qartë udhëheqjes politike për të vepruar. Vetëm në këtë mënyrë, diaspora mund të sjellë standarde evropiane të llogaridhënies në politikën e Kosovës dhe ta afrojë vendin më bindshëm me BE-në, përfundon Petritsch./REL