Numri i të papunëve në Gjermani gjatë muajit maj ka rënë sërish nën kufirin prej tre milionë personash, por tregu i punës ende nuk po tregon shenja të një rimëkëmbjeje më të fortë dhe afatgjatë, njoftoi Agjencia Federale Gjermane e Punës.
Sipas të dhënave të agjencisë, numri i të papunëve është ulur për 58 mijë krahasuar me prillin dhe ka arritur në 2,95 milionë persona. Megjithatë, kjo shifër është për 31 mijë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shkalla e papunësisë në maj ka qenë 6,3 për qind, që është 0,1 pikë përqindjeje më pak se në prill, por ende më e lartë krahasuar me majin e vitit 2025.
Presidentja e Agjencisë Federale të Punës, Andrea Nahles, deklaroi se ulja sezonale e papunësisë nuk paraqet një ndryshim të rëndësishëm pozitiv në tregun gjerman të punës.
Gjatë muajit maj, në Gjermani janë raportuar 643 mijë vende të lira pune, që është për 8 mijë më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Agjencia me seli në Nuremberg vlerësoi se kërkesa për fuqi punëtore është stabilizuar, por në një nivel relativisht të ulët.
Numri i përfituesve të ndihmës për papunësi në Gjermani në maj ka arritur në 1,073 milionë persona, ose 113 mijë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.



