Ku qëndrojnë negociatat mes SHBA-së dhe Iranit – përfshirë pengesën bërthamore

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për një marrëveshje të mundshme janë afruar së fundmi, por ende nuk është arritur një mirëkuptim përfundimtar, sipas deklaratave të palëve dhe burimeve diplomatike.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se është duke u konsultuar me zyrtarë të sigurisë për të marrë një “vendim përfundimtar” mbi ofertën aktuale në tryezë, duke sinjalizuar se negociatat kanë hyrë në një fazë vendimtare.

Megjithatë, Teherani ka reaguar duke theksuar se nuk ekziston ende një marrëveshje përfundimtare, duke lënë të hapura shumë prej çështjeve kryesore që ndajnë dy palët, shkruan skynews.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, drafti fillestar i marrëveshjes do të përfshinte një zgjatje 60-ditore të armëpushimit, si dhe masa për lehtësimin e lëvizjes detare, përfshirë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e disa kufizimeve amerikane.

Kjo fazë tranzitore do t’u jepte palëve më shumë kohë për të negociuar çështjet më të ndërlikuara, sidomos programin bërthamor të Iranit dhe sanksionet ekonomike të vendosura nga SHBA.

Çështja më e ndjeshme mbetet uraniumi i pasuruar i Iranit, i cili sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike arrin nivele deri në 60 për qind, shumë pranë pragut teknik për përdorim ushtarak.

Uashingtoni kërkon që Irani të heqë dorë nga këto rezerva, ndërsa Teherani refuzon kategorikisht një kërkesë të tillë, duke e konsideruar si cenim të sovranitetit të tij energjetik.

Zyrtarë amerikanë kanë theksuar se parandalimi i Iranit nga zhvillimi i armëve bërthamore mbetet “vijë e kuqe”, ndërsa diskutimet aktuale synojnë vetëm një marrëveshje të përkohshme mbi parimet e përgjithshme.

Në sfond të negociatave mbetet edhe çështja e sanksioneve dhe fondeve të ngrira iraniane, me Teheranin që kërkon qasje në asetet e tij, ndërsa SHBA po kërkon formula të tërthorta për zhbllokimin e tyre pa transfere të drejtpërdrejta.

Pavarësisht lëvizjeve të fundit diplomatike, analistët theksojnë se dallimet mes palëve mbeten të thella dhe çdo marrëveshje e mundshme do të kërkojë kompromis të madh në ditët dhe javët në vijim.