Përplasje e rëndë është regjistruar sonte në rrugën e Plastikave në Shkup. Rreth orës 22:40, një veturë dhe një motoçikletë janë përplasur fuqishëm, ndërsa si pasojë drejtuesi i motorit ka mbetur i plagosur rëndë. Sipas informacioneve të para, menjëherë pas aksidentit në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekipet e Ndihmës së Shpejtë, të cilat e kanë transportuar të lënduarin me urgjencë drejt Spitalit të Qytetit, ku po merr trajtim intensiv mjekësor. Gjendja e tij shëndetësore ende nuk dihet zyrtarisht. Policia ka bllokuar pjesërisht segmentin dhe ka nisur inspektimin për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Në vendngjarje janë vërejtur pjesë të shpërndara të motorit dhe veturës, gjurmë frenimi dhe dëmtime të mëdha në të dy mjetet, që dëshmojnë forcën e përplasjes. Fotografitë dhe pamjet e siguruara nga ALSAT flasin vetë për shkallën e përplasjes. Motoçikleta shihet pothuajse e shkatërruar, ndërsa pjesa e përparme e veturës ka pësuar dëmtime të konsiderueshme. Kalimtarë të shumtë janë mbledhur në vendin e ngjarjes, të tronditur nga ajo që kanë parë. Ky është një tjetër aksident i rëndë që rikthen në vëmendje shqetësimin për sigurinë në komunikacion në Shkup. Vetëm pak ditë më parë, qarkorja e Shkupit u bë skenë e një tragjedie të rëndë ku humbën jetën katër persona, aksident që tronditi opinionin publik dhe ngriti sërish pyetje mbi kujdesin në udhëtim dhe sigurinë në rrugë. Autoritetet pritet të publikojnë më shumë detaje në orët në vijim./Alsat.mk.
Lajme Aksident i rëndë në rrugën e Plastikave, motoçiklisti dërgohet me urgjencë në...



