Mega-tunelet që po ndryshojnë hartën e Europës

Europa dëshiron të bindë më shumë njerëz të heqin dorë nga fluturimet e shkurtra dhe të zgjedhin trenat me shpejtësi të lartë. Ndërsa udhëtimet hekurudhore po fitojnë popullaritet, kontinenti po përballet me një pengesë të madhe: gjeografinë.

Malet dhe detet e ndajnë Europën në mënyrë natyrore dhe, ndryshe nga avionët, trenat nuk mund t’i shmangin ato. Për këtë arsye, disa nga projektet më ambicioze inxhinierike në botë po hapin tunele gjigante nën male dhe dete, me synim revolucionarizimin e transportit hekurudhor në dekadën e ardhshme.

Austria, Italia, Franca dhe Danimarka po investojnë miliarda euro në tunele rekord dhe linja të reja që do të shkurtojnë ndjeshëm kohët e udhëtimit dhe do të rrisin kapacitetin për transport mallrash.

Një nga projektet më të rëndësishme është tuneli i Gotthardit në Zvicër, i hapur në vitin 2016. Me gjatësi rreth 57 kilometra dhe i ndërtuar deri në lartësinë mbi dy mijë metra nën Alpe, ai konsiderohet tuneli hekurudhor më i gjatë në botë.