Droga mes nxënësve, shkollat në Pollog pa psikologë e sociologë: Institucionet fajësojnë njëra-tjetrën

Mungesa e sociologëve, psikologëve dhe stafit tjetër profesional vazhdon të mbetet problem i pazgjidhur me vite për shkollat e mesme në Tetovë dhe Gostivar. Derisa përdorimi i lëndëve narkotike mes të rinjve lulëzon dhe ekspertët vazhdimisht theksojnë nevojën dhe rolin të tyre në shkolla, autoritetet komunale vazhdojnë të ankohen se Ministria e Arsimit nuk miraton punësime, kurse kjo e fundit arsyetohet dhe ‘fajin’ ua hedh komunave, shkruan Portalb.mk.

Në shkollat e mesme në Pollog mungojnë kuadro të ndryshëm të stafit profesionist si psikologë, sociologë, defektologë, pedagogë dhe të tjerë.

Derisa të dhënat zyrtare tregojnë për prani dhe përdornim të lëndëve narkotike nga të rinjtë në moshë të nxënësve të shkollave të mesme, shërbimet profesionale në shkolla të cilët duhet të merren me këshillim të nxënësve, shpesh mungojnë.

Shërbimet profesionale të shkollave, si psikologu, pedagogu, punëtori social sipas ekspertëve luajnë rol thelbësor në identifikimin dhe adresimin e hershëm të problemeve emocionale dhe sociale të nxënësve, duke ndihmuar në reduktimin e sjelljeve devijante dhe negative të fëmijëve.

Si qëndron situata në Tetovë?

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk bëjnë të ditur se stafi profesional për të cilin kanë nevojë shkollat e mesme në Komunën e Tetovës është si vijon: SHMK ‘Kiril Pejçinoviq’ – defektolog, SHMK ‘8 Shtatori’ – psikolog dhe sociolog, SHMPK ‘Hjoce Stojçeski’ – defektolog, SHMK ‘7 Marsi’ – defektolog dhe sociolog, SHMKM ‘Nikolla Shtenj’ – psilkolog, sociolog dhe pedagog.

Nga aty bëjnë të ditur se si institucion kanë angazhuar kuadër profesional në SHMEK ‘8 Shtatori’ dhe SHMKM ‘Nikolla Shtenj’.

“Komuna e Tetovës ka kërkuar punësime nga Ministria e Arsimit por ende nuk kemi përgjigje konkrete”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Nga aty shtojnë se komuna angazhon defektolog në rast ku në atë shkollë regjistrohen fëmijë me aftësi të veçanta.

Komuna e Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Komuna e Tetovës, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Si qëndron situata në Gostivar?

Nga Komuna e Gostivarit nuk morëm përgjigje për të gjithë shkollat, megjithatë situata nuk ndryshon shumë nga Tetova.

Nga Gjimnazi i Gostivarit thanë se përmes Komunës së Gostivarit deri te Ministria e Arsimit vite me radhë kanë dorëzuar kërkesë për financim të ri për vendin e punës psikolog shkolle (gjuhë mësimore turke).

“Për shkak të nevojës së nxënësve dhe të punësuarve për këshillim dhe lëshim të dokumenteve në gjuhën turke për çka në shërbim profesional dhe administratë nuk ka asnjë të punësuar që e zotëron gjuhën”, thanë nga kjo shkollë.

Shkolla e Mesme e Mjekësisë në Gostivar nuk ka sociolog.

“Ne kemi kërkuar disa herë mirëpo nuk kemi përgjigje. Ne si shkollë kemi kërkuar punësime te Ministria e Arsimit, mirëpo nuk janë realizuar, nuk kemi asnjë përgjigje pozitive për punësime të reja”, thanë nga kjo shkollë.

Shkolla e Mesme Ekonomike Komunale "Gostivar". Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shkolla e Mesme Ekonomike Komunale “Gostivar”. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ismaili: Mungesa e stafit e dobëson identifikimin e hershëm dhe parandalimin

Që mungesa e stafit profesional në shkolla si pedagogët, sociologët dhe psikologët e dobësojnë ndjeshëm kapacitetin për identifikimin e hershëm dhe parandalimin e përdorimit të drogës te nxënësit pajtohet edhe ish-mësimdhënësi Satki Ismaili.

“Kur një numër i vogël i bashkëpunëtorëve profesional mbulon numër të madh të nxënësve, puna reduktohet dhe intervenohet pas problemit dhe jo në ndërhyrje parandaluese. Kjo kufizon këshillimin individual, punën me prindërit dhe zhvillimin e programeve të qëndrueshme preventive. Po ashtu, mungon analizimi social i faktorëve të rrezikut brenda dhe jashtë shkollës. Si rezultat, menaxhimi i rasteve mbetet i fragmentuar dhe shkolla reagon vonë”, tha Ismaili.

Satki Ismaili, mësimdhënës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Satki Ismaili, mësimdhënës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ministria e Arsimit arsyetohet

Pavarësisht situatës dhe kërkesave të vazhdueshme nga shkollat dhe komunat, Ministria e Arsimit dhe Shkencës vazhdon të arsyetohet dhe duke mos dhënë përgjigje konkrete se pse nuk miraton punësime të reja.

Nga Ministria e Arsimit thonë se për përcaktimin e numrit të nevojshëm të bashkëpunëtorëve profesionalë në shkollat e mesme publike, si kriter merret numri i nxënësve në shkollë, edhe atë:

  • Deri në 500 nxënës, më së shumti 3 (tre) bashkëpunëtorë profesionalë;
  • Deri në 1000 nxënës, më së shumti 5 (pesë) bashkëpunëtorë profesionalë;
  • Mbi 1000 nxënës, më së shumti 7 (shtatë) bashkëpunëtorë profesionalë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sipas ministrisë, situata në Tetovë dhe Gostivar është si vijon.

Tetovë:

  • Gjimnazi “Kirili Pejçinoviq” – 2 (bashkëpunëtorë profesionalë) për 1377 nxënës,
  • Gjimnazi “7 Marsi” – 1 për 388 nxënës,
  • Shkolla e Mjekësisë “Nikolla Shtejn” – 4 për 2178 nxënës,
  • Shkolla Ekonomike “8 Shtatori” – 3 për 1109 nxënës,
  • Shkolla Tesktile “Gjoce Stojçeski” – 4 për 407 nxënës.

Gostivar:

  • Gjimnazi “Gostivari” – 4 (bashkëpunëtorë profesionalë) për 850 nxënës,
  • Shkolla Tekstile “Gostivari” – 5 për 1029 nxënës,
  • Shkolla Ekonomike “Gostivari” – 1, 191 nxënës
  • Shkolla e Mjekësisë “Gostivari” – 2, 778 nxënës

Ministria thekson se në Gostivar dhe Tetovë është e domosdoshme rishpërndarje e një pjese të bashkëpunëtorëve profesionalë të punësuar në shkollat e mesme, me qëllim që të mundësohet funksionimi optimal i shërbimeve profesionale, kompetencë kjo që siç thotë MASH u takon vetëqeverisjeve lokale.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës angazhohet dhe do të vazhdojë të bëjë përpjekje për forcimin e shërbimeve profesionale në të gjitha shkollat e vendit”, thanë nga MASH.

Por pavarësisht kësaj deklarate, shkollat dhe komunat deklarojnë se realiteti në terren është ndryshe dhe se MASH nuk i pranon kërkesat e tyre.

Storja vazhdon…