Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të flasin më lirë me vendet e Bashkimit Evropian më së hershmi nga janari i vitit 2027, por edhe ky është një skenar optimist, deklaroi ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski, lidhur me paralajmërimet për heqjen e roamingut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ai shtoi se një vendim i tillë nuk varet nga ne, por nga BE-ja, transmeton Portalb.mk.
“Një skenar optimist është që deri në fund të vitit ta kemi këtë mundësi për qytetarët tanë. Megjithatë, kjo varet nga Bashkimi Evropian, afati nuk varet nga ne, por do të nënkuptonte një skenar optimist – roaming nga 1 janari 2027”, deklaroi Andonovski, i cili mori pjesë në një ngjarje kushtuar konkurrueshmërisë, inovacionit dhe transformimit digjital në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Nisma është e Bashkimit Evropian, ndërsa qëllimi i saj është ulja e shpenzimeve të roamingut për qytetarët e Ballkanit Perëndimor që do të udhëtojnë në Bashkimin Evropian dhe për qytetarët e Bashkimit Evropian që udhëtojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Pavarësisht dezinformatave se kemi qenë të përjashtuar, bëmë përpjekje serioze dhe shteti miratoi rregullativën e nevojshme për t’i zbatuar katër direktivat dhe rregulloret e BE-së dhe për të mundësuar roaming falas për qytetarët e Maqedonisë kur do të udhëtojnë në Bashkimin Evropian. Ligjet, përkatësisht ndryshimi i fundit i Ligjit për komunikime elektronike, është dërguar në Komisionin Evropian për mendim, është miratuar në Qeveri dhe është dërguar. Pas mendimit pozitiv nga ana e BE-së, do të miratohet edhe në Kuvend”, tha Andonovski.
Ndërkohë, BE-ja fillon procesin negociues, ndërsa negociatorët nga pala jonë tashmë janë zgjedhur.
Ky proces do të përfshijë miratimin e ligjit, negociata dhe më pas nënshkrimin e një marrëveshjeje të ngjashme me Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim nga viti 2000, përkatësisht BE-ja me secilin shtet veçmas të Ballkanit Perëndimor, për arritjen e këtij efekti.
Ministri siguron se “jemi të gatshëm të hyjmë menjëherë në këtë proces“, por afatet do të varen nga Bashkimi Evropian.
Ky program i Komisionit Evropian është një rregullore e BE-së që lejon përdorimin e telefonave mobilë në vende të tjera anëtare me të njëjtat çmime si në vendin amë.
Kjo do të thotë se kur përdoret telefoni mobil në zonën e BE-së, nuk ka shpenzime shtesë roamingu për thirrje, SMS apo përdorim të internetit.
BE-ja e vendosi “Roaming si në shtëpi” në qershor të vitit 2017. Ai vlen për vendet anëtare të BE-së dhe vendet e Zonës Ekonomike Evropiane. Në janar të këtij viti, rregullorja u zgjerua edhe për Ukrainën dhe Moldavinë.





