Dy kongresistë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Keith Self dhe Suhas Subramanyam do të takohen sot me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Sipas njoftimit nga Zyra a Kryeministrit, takimi do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, duke filluar nga ora 11:50.
Siç është njoftuar, delegacioni do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe me autoritetet amerikane dhe ndërkombëtare të sigurisë. Po ashtu, janë paralajmëruar takime edhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.
Probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë tashmë janë të njohura, ka thënë kongresisti amerikan nga radhët e Republikanëve, Keith Self, gjatë vizitës që i ka bërë Luginës së Preshevës.
Deklarimin e bëri pas takimit me përfaqësues të shqiptarëve në këtë pjesë.
“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, tha Self.
E kongresisti nga radhët e Demokratëve, Suhas Subramanyam, përmendi sistemin arsimor dhe zhvillimin e pabarabartë për shqiptarët në Serbi si një nga problemet kryesore të të drejtave të pakicave.
Ndërkaq, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, tha se vizita është tregues se shkeljet që i bën Serbia në Luginë, tashmë kanë marrë vëmendje ndërkombëtare.
“Përshtypja jonë nga ky takim është jashtëzakonisht pozitive, ku kongresmenë kanë treguar interesim të madh, kanë kërkuar detaje konkrete për shumë çështje që i prekëm gjatë diskutimeve. Kjo na jep shpresë se zëri i shqiptarëve të Luginës po dëgjohet edhe më shumë vendimmarrëse ndërkombëtare përtej Atlantikut”, tha Sinani.
E deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se ndërkohë që Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës



