Maqedonia renditet në mesin e sistemeve më të dobëta shëndetësore në botë dhe vazhdon të mbetet pas shumicës së vendeve të rajonit, sipas Indeksit më të ri të Kujdesit Shëndetësor të Numbeo për vitin 2026, i cili vlerëson sistemet shëndetësore bazuar në anketa publike për cilësinë e shërbimeve mjekësore, personelin, infrastrukturën spitalore, kohën e pritjes dhe kostot e trajtimit. Para Maqedonisë në listë renditen Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja, të cilat kanë nota më të larta për efikasitetin e sistemit shëndetësor, qasjen në shërbime dhe kënaqësinë e pacientëve. Pas vendit mbeten vetëm Gjeorgjia, Ukraina dhe Rumania. Analiza tregon se sistemet më të mira shëndetësore në botë nuk janë domosdoshmërisht edhe më të shtrenjtat.
Në krye të listës ndodhet Tajvani, i cili ka indeksin më të lartë të kujdesit shëndetësor në botë, edhe pse shpenzon dukshëm më pak për banor krahasuar me SHBA-në. Sipas analizës, sistemi tajvanez arrin të sigurojë mbulim pothuajse të plotë të popullsisë, kosto të ulëta administrative dhe qasje të shpejtë në shërbimet mjekësore. Në të kundërtën, SHBA-ja vazhdon të shpenzojë më së shumti për shëndetësi – rreth 13.5 mijë dollarë për person në vit, por megjithatë renditet vetëm në vendin e 40-të. Arsyet, sipas analizës, janë kostot e larta administrative, barnat e shtrenjta, sistemi i fragmentuar i sigurimeve dhe qasja e pabarabartë në shërbimet shëndetësore.
Vendet evropiane më të renditura, mes tyre Holanda, Finlanda, Danimarka dhe Franca, dominojnë falë qasjes së gjerë në kujdesin shëndetësor, mjekësisë së fortë primare dhe barrierave më të ulëta financiare për pacientët. Pikërisht këto modele, sipas ekspertëve, tregojnë se çelësi nuk qëndron vetëm te madhësia e buxhetit, por te organizimi, parandalimi dhe menaxhimi efikas i sistemit. Renditja, në fakt, pasqyron realitetin që pacientët në Maqedoni e ndjejnë prej vitesh – lista të gjata pritjeje, mungesë mjekësh dhe personeli mjekësor, klinika të mbingarkuara, pajisje të vjetruara dhe një numër gjithnjë e më i madh qytetarësh që, për shkak të sistemit të ngadaltë, detyrohen të kërkojnë ndihmë në shëndetësinë private.



