Punonjësit në NTP Shkup kërkuan inspektim të jashtëzakonshëm, ankohen për pagat e papaguara

Punonjësit e Ndërmarrjes së Transportit Publik (NTP) në Shkup, veçanërisht shoferët, kanë reaguar për oraret e punës gjatë festave fetare, si dhe për pagesat e papaguara për punën gjatë festave dhe orët shtesë. Në një konferencë për media, Konfederata e organizatave sindikale të Maqedonisë (KOSM), në përbërje të së cilës është edhe sindikata SPAIS ku anëtarë janë punonjësit e NTP-së, kërkoi që Qyteti i Shkupit dhe menaxhmenti i ndërmarrjes të ulen me sindikatën dhe të zgjidhin problemet me të cilat përballen punonjësit, transmeton Portalb.mk.

Sindikata theksoi se qëllimi është të shmangen situata ku punëtorët detyrohen të angazhojnë avokatë për të realizuar të drejtat e tyre, duke theksuar se tashmë ekzistojnë shumë padi ndaj NTP-së dhe numri i tyre mund të rritet nëse kërkesat vazhdojnë të injorohen nga menaxhmenti.

Ata njoftuan se do të kërkojnë inspektim të jashtëzakonshëm për të përcaktuar gjendjen në ndërmarrje.

Sipas sindikatës, edhe pse pagesa e punës gjatë festave fetare është e rregulluar me ligj, në praktikë ekzistojnë raste gjyqësore dhe disa vendime gjyqësore që tregojnë se festat nuk evidentohen dhe nuk paguhen sipas Ligjit për marrëdhënie pune.

Sindikata shton se dhjetëra avokatë po punojnë në qindra raste që lidhen me të drejtat e punonjësve në NTP.

Ata apelojnë që këto probleme të zgjidhen përmes dialogut dhe respektimit të ligjit, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të pasojnë padi të reja.

Ndërkohë, ndërmarrja përveç problemeve financiare përballet edhe me mungesë shoferësh, ndërsa një pjesë e autobusëve shpesh janë me defekte.

Një hulumtim i Qendrës për Komunikime Qytetare, i publikuar në shkurt të këtij viti, tregon se me uljen e numrit të autobusëve rritet edhe mosha mesatare e tyre, e cila tani është 13.3 vjet.

Gjatë dhjetë viteve të fundit është ulur edhe numri i pasagjerëve të transportuar. Nëse në vitin 2015 transportoheshin rreth 52 milionë pasagjerë në vit, tani numri është ulur në rreth 22 milionë në vit.