Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore njofton përdoruesit e shërbimeve të pikave të pagesës (taksave rrugore) se, në përputhje me ndryshimet operative në funksionimin e sistemit të pagesës, duke filluar nga data 15.06.2026, korsitë e shënuara për MTAG në pikat e pagesës do të jenë të dedikuara ekskluzivisht për përdoruesit me tag elektronik, transmeton Portalb.mk.
Me këtë ndryshim, pagesa me MCard në këto korsi shfuqizohet. Përdoruesit që përdorin MCard do të kryejnë pagesën në korsitë e tjera të disponueshme në pikën e pagesës, sipas destinimit të tyre.
NPRRSH apelon dhe kërkon respektim të rreptë të sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe të tabelave elektronike informative të vendosura para dhe në vetë pikat e pagesës, ku është bërë kategorizim i qartë i korsive sipas llojit të pagesës:
• pagesë elektronike (MTAG / MCARD)
• pagesë me para në dorë (CASH)
Gjithashtu, për zhvillim të pandërprerë dhe të sigurt të trafikut, përdoruesit janë të obliguar të ndjekin sinjalizimin për statusin e korsive:
• shigjetë e gjelbër – tregon korsi aktive (të hapur)
• kryq i kuq (X) – tregon korsi të mbyllur
Mosrespektimi i shenjave dhe destinimit të korsive mund të shkaktojë bllokime në trafik dhe të ndikojë në sigurinë dhe efikasitetin e qarkullimit.
“Ky njoftim publikohet me qëllim informimin në kohë dhe përshtatjen e përdoruesve me ndryshimet në sistemin e pagesës”, thonë nga NPRRSH.



