Një rrëfim për kujtimet nga e kaluara!

(Nga promovimi I librit të Shpëtim Pollozhanit “Gërvishtje në Murin e Kohës”)
Duke u kujtuar për kohën e kaluar, i zgjojmë kujtimet e braktisura për të kaluarën. E tanishmja është diçka më shumë se e kaluara dhe diçka më pak se e ardhmja. Të tanishmen mund ta kuptojmë vetëm duke e lidhur me të kaluarën.
Në librin e tij të fundit “Gërvishtje në Murin e Kohës” Shpëtim Pollozhani ka bër një udhëtim në kohërat e kaluar. Na jepë një analizë frymëzuese dhe mahnitshëm integrues për jetën e vështirë kur nuk respektoheshte individualiteti i njeriut. I përshkruan ngjarjet e rralla në gjysmën e shek.20 që jo shpesh përsëriten.
Shkruan për kohën kur jeta e vështirë ka bërë që edhe njerëzit e fuqishëm të vuajnë në heshtje. Për njerëzit edhe kur torturoheshin nga pushteti, me vetëbesim e ruanin krenarin dhe buzëqeshjen në fytyrat e tyre.
Shkruan për njerëzit që kurrë nuk e humbën shkëlqimin nga sytë e tyre, duke e ruajtur unitetin e karakterit me energjin pozitive! Ato çdo mëngjes, janë zgjuar duke mos pushuar së menduari se ëndërrat e tyre do ti bëjnë realitet.Jetonin me besimin se lumturinë që e dëshirojnë, një ditë vetë do ta arrijnë. Në heshtje përgatiteshin për një fat të jashtëzakonshëm.
Shpëtimi këtë libër autobiografik e ka shkruar me një qetësi elegante,me kujdes për çdo detal që tërheq vëmendje. Ky libër është një katalizator që e zgjon imagjinatën e çdo lexuesi. Shtrirja e fuqisë së librit shfaq një ndjenjë gjallëruese për bukurinë e rrëfimeve dhe fitoren e realitetit jetësor e njerëzor mbi ideologjitë politike të njëanëshme.
Libri është shkruar me stilin narrativ duke u fokusuar në rrëfimin për historin e familjes së tij. Me mjeshtri artistike e ka përshkruar rrjedhën e ngjarjeve dhe jetën e personazheve të realt në atmosferën sociale dhe politike të asaj kohe.
Duke përdorur aforizma, fjalë të urta dhe metafora të pasura,lexuesi e kupton historin e fshehur të një jete thellësisht emocionale dhe shpesh e dhimbshme. Këto fjalë të urta janë kristalet e filozofisë së mendjes së kulluar,formula strukturale për të jetuar në pajtim me frymën e traditave në kohërat të vështira..
Vëmendje të madhe u ka kushtuar detaleve, duke e kapur gjendjen psikologjike dhe atmosferën specifike të asaj kohe, kur DREJTËSIA KA QENË PIKËLLIM I hidhur. Kur çdo plagë ka fshehur një histori. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një realitet të përjetuar, por edhe me lidhjen empatike të autorit me një periudhë kohore që tek ai ka lën gjurma të pashlyera..
Duke shkruar në formën artistike tepër vezuluese për ngjarjet ekskluzive të parrëfyera nga qytetet buzë liqenit të bardhë (Ohrit) duket sikur lexuesi i ka gjetur margaritarët nga ndonjë thesar i humbur.
Nëse për veprat gjykojmë sipas qëllimit të tyre, atëherë me këtë vepër Shpëtim Pollozhani në mënyrë magjepëse na ka befasuar.
Sot me libri “Gërvishtje në Murin e Kohës” ai mbolli një rrap shpirtëror në hijen e të cilit nesër shumë njerëz do të relaksohen! Në fund do te përfundoj këtë shkrim me fjalët e një poeti arab “moj kohë në ty janë të gjitha kohërat”.
Burimi: “Struga Ekspres”